Kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë u ndal te rasti i vrasjes së 14-vjeçarit në shkollën “Fan Noli” nga bashkëmoshatari i tij.
Rama tha se qeveria po punon me Emiratet e Bashkuara Arabe për një sistem të ri dixhital për kontrollin e shkollave, që ka rezultuar i suksesshëm atje.
Kreu i qeverisë theksoi se do të rishikohen masat ndëshkuese nëse shkelet rregulli i ndalimit të telefonave në shkolla.
“Jemi duke punuar për një sistem të ri dixhital të kontrollit të shkollave dhe çdo klase me kamera inteligjente të rrugëve kombëtare dhe të qyteteve. Po punojmë prej një viti me këtë projekt me Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ky sistem është realizuar me sukses në aspektin e rritjes së sigurisë në përgjithësi dhe me rezultate mbresëlënëse në rritjen e sigurisë dhe uljen e bullizmit në shkolla. Kemi dakordësuar dhe volumin e financimit, dhe së shpejti, do ta prezantojmë publikisht dhe do të nisim punët për zbatimin, që synojmë të përmbyllim plotësisht në 20 muaj, ndërkohë që hap pas hapi fillojmë pajisjen me këtë sistem. Prej vitesh kemi ndaluar hyrjen e celularëve nëpër shkolla, por është koha për të rishikuar sanksionet për shkeljen e këtij rregulli”, tha Rama