Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë ka lëshuar urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, duke i akuzuar ata për krime lufte dhe kundër njerëzimit në kuadër të konfliktit në Gaza.
Urdhër-arresti është lëshuar gjithashtu për zyrtarë të Hamasit, përfshirë liderin e grupit palestinez. Mohammed Diab Ibrahim Al-Masri, i njohur jithashtu si Mohammed Deif ose Deif. Izraeli ka deklaruar se e ka vrarë, Deif në një sulm ajror, por Hamas nuk e ka pranuar zyrtarisht vdekjen e tij. Ata akuzohen për sulmet e tetorit 2023 në Izrael.
Ky vendim nënkupton se Netanyahu dhe Gallant tani kërkohen ndërkombëtarisht si të dyshuar dhe ka të ngjarë t’i izolojë ata edhe më shumë. Netanyahu dhe liderë të tjerë izraelitë kanë dënuar kërkesën e prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan, për urdhër-arreste, duke e cilësuar atë si të turpshme dhe antisemitike.
“Gjykata ka konstatuar se ka arsye të bazuara për të besuar se të dy individët kanë privuar me dashje dhe qëllimisht popullsinë civile të Gazës nga mallrat e domosdoshme për mbijetesën e tyre, përfshirë ushqim, ujë, ilaçe dhe pajisje mjekësore, si dhe karburant dhe energji elektrike», shkruhet në vendimin unanim të kolegjit prej tre gjyqtarësh për lëshimin e urdhër-arresteve.
Në vendim shtohet se se pranimi i juridiksionit të gjykatës nga Izraeli nuk ishte i nevojshëm, për të zbatuar urdhrin.
Edhe presidenti amerikan, Joe Biden, e kishte kritikuar kërkesën e Khanit dhe kishte shprehur përkrahje për të drejtën e Izraelit për ta mbrojtur veten kundër Hamasit. Edhe Hamasi e kishte kritikuar kërkesën e kryeprokurorit.
Ky vendim ka mundësi t’i ndërlikojë përpjekjet për arritjen e një armëpushimi për t’i dhënë fund luftës më tepër se njëvjeçare mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Pavarësisht urdhër-arresteve, është e pamundur që ndonjëri nga të dyshuarit të përballet me gjyqin në Hagë në një kohë të afërt, vëren Associated Press, pasi gjykata nuk ka një polici të vetën për të zbatuar urdhrat, por mbështetet te bashkëpunimi i shteteve anëtare.
Po kështu këto fletarrestime mund të jenë të kufizuara në praktikë, duke qenë se Izraeli dhe aleati i tij kryesor, Shtetet e Bashkuara, nuk janë anëtarë të kësaj gjykate, ndërsa disa zyrtarë të Hamasit janë vrarë tashmë në këtë luftë, shkruan Rel.