Sulmuesi rumun Denis Alibec ka dalë në konferencë së bashku me trajnerin Gheorghe Hagi të enjten në konferencë për media para ndeshjes që skuadra e tyre Farul Constanta e zhvillon ndaj Otelulit në elitën e futbollit të Rumanisë.
Përveç deklaratave në lidhje me ndeshjen, Alibec ka folur edhe për përplasjen e pretenduar me përzgjedhësin e Rumanisë, Mircea Lucescu pas ndeshjes Rumania – Kosova.
Alibec u “qortua” nga Lucescu për reagimin ndaj lojtarëve të Kosovës, në fund të ndeshjes që u ndërpre të premten.
“Në moshën e tij, Alibec, duhet të kishte menduar që momentin që tjetri e kap për qafe, ai të qëndroj pa lëvizur. Jo të reagoj”, pati thënë Lucescu, raporton “golazo.ro” të enjten.
Alibec pranon se ka pasur një diskutim me Lucescun, por mohon të ketë pasur përplasje.
“Isha pak i zhgënjyer nga disa gjëra, por tani jam mirë dhe po mendoj vetëm për ndeshjen e radhës që e kemi me klubin”, ka thënë
Alibec pati një përplasjeje në fushë me kapitenin e Kosovës Amir Rrahmani.
Më pas u përfshinë shumica e lojtarëve, ndërkohë që në tribuna kishte thirrje “Serbi, Serbi”.
Pas thirrjeve “Serbi, Serbi”, lojtarët u tërhoqën nga fusha dhe refuzuan të kthehen për të vazhduar ndeshjen.
UEFA të mërkurën mori vendim, duke ia dhënë fitoren Rumanisë me rezultat zyrtar, 3:0.
Federata e Futbollit e Rumanisë u dënua me 128 mijë euro dhe një ndeshje pa shikues. Federata e Futbollit e Kosovës u dënua me gjashtë mijë euro
Në Rumani ka pretendime se Alibec mund të mos ftohet më nga Lucescu.
“Nuk është vendimi im. Nëse ai më thërret sërish, unë do të jem atje. Përndryshe nuk kam se çfarë të them për këtë. Gjithçka është në rregull. Kisha një diskutim me të, por jo të nxehtë. Kemi marrëdhënie të mira, asgjë nuk ka ndodhur”, ka theksuar Alibec.
Rumania fitoi Grupin C2 të Ligës së Kombeve, ndërsa Kosova do të paraqitet në plejof. Kundërshtarin e mëson të premten