Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi Policia e Kosovës gjatë tri ditëve të fundit ka konfiskuar një sasi të konsiderueshme armatimi në veri të vendit.
Në reagimin e tij, përmes një postimi në platformën “X”, Kurti ka thënë se thirrjet për inspektim vijnë nga qytetarët e thjeshtë që alarmojnë policinë.
“Policia jonë gjatë tre ditëve të fundit ka konfiskuar një sasi të konsiderueshme armatimi, siç shihet në foto, ku përfshihen armë dhe granata në veri të vendit. Sinjalizimet vijnë nga qytetarët e thjeshtë që alarmojnë policinë. Siguria e njerëzve dhe siguria e të gjithë vendit mbeten një prioritet kyç për qeverinë tonë, veçanërisht kur përballemi me kërcënime të tilla të afërta për sigurinë tonë kolektive”, ka shkruar Kurti.
Over the past three days our Police has confiscated a substantial amount of armaments, as pictured, which include weapons and grenades in the north of the country. Calls for inspection come from ordinary citizens who alarm the police. The safety of the people and the security of… pic.twitter.com/XPpROCPpLl
Në lidhje me konfiskimin e armatimit në veri ishte deklaruar edhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.
“Këto nuk janë thjesht mbetje të bandave kriminale e terroriste serbe, por edhe vendstrehim i armëve për planifikimet e tyre të errëta. Si Qeveri e Kosovës bashkë me Policinë e Kosovës dhe të gjitha institucionet tjera jemi të përcaktuar qartë që rendi juridik e kushtetues, sovraniteti e integriteti, rendi dhe ligji, liria, barazia e drejtësia do të mbizotërojnë gjithandej shtetit tonë”, pati deklaruar ai.
Ndryshe, Policia e Kosovës edhe të premten (sot) në një shtëpi në një fshat të Zveçanit ka gjetur dhe ka konfiskuar armatim, granata dore dhe municion.