Drita ka fituar ndeshjen ndaj Llapit me përmbysje 3-1, falë një ndeshje spektakolare nga Albert Dabiqaj që realizoi het-trik.
Vetëm pas 22 minutave lojë mysafirët nga Podujeva kaluan të parët në epërsi, kur Blend Baftiu realizoi me kokë pas asistimit nga Diar Vokrri për 0-1.
Drita rrezikoi me Arb Manajn dhe Blerim Krasniqin, por pa arritur golin në 45 minutat e para
Kësisoj pjesa e parë u mbyll me epërsi 0-1 të llapjanëve.
Drita e nisi furishëm pjesën e dytë, kur në minutën e 51-të realizoi me Melos Zenunajn, por goli i tij u anulua nga VAR.
Bardhekaltërtit nga Gjilani nuk u ndalen, pasi në minutën e 69-të barazuan shifrat në 1-1 me golin e Albert Dabiqajt.
Dabiqaj nuk u ndal me kaq, pasi gjashtë minuta më vonë realizoi nga afërsia për përmbysjen e madhe të Dritës
Në minutën e 92-të, Albert Dabiqaj u gjend bukur afër golit dhe pas asistimit të Arb Manaj realizoi për 3-1 duke kompletuar het-trikun.
Me tre golat e realizuar sot, Dabiqaj ka shkuar në kuotën e tetë golave në kampionat.
Drita vazhdon të kryesojë në renditjen tabelare me 31 pikë, pesë më shumë se Ballkani, ndërkohë Llapi është e teta në tabelë me 16 pikë.
Ndeshjen e ardhshme Drita luan derbin në udhëtim ndaj Ballkanit, derisa Llapi pret Ferizajn