Një javë pas ngjarjes së rëndë ku u vra pranë shkollës Fan Noli 14-vjeçari Martin Cani, prindër, nxënës, përfaqësues të shoqërisë civile protestojnë sërish sot para ministrisë së Arsimit ku kërkojnë dorëheqjen e ministres Ogerta Manastirliu.
Gazetarja e A2 CNN Ornela Joti në një lidhje me Ditarin me Bruna Çifligun, raportoi se kërkesat kryesore janë siguria e fëmijëve në shkolla dhe zbardhja e plotë e ngjarjes. Kjo vjen pas deklaratave të fundit të nxënësit të plagosur Luis Meçe, i cili nga spitali ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, hodhi dyshime për persona të tjera të përfshirë në ngjarje.
“Do t’i kërkohet institucioneve arsimore dhe policisë zbardhja e ngjarjes, pasi mësohet një nga nxënësit e plagosur Luis Meçe ka rrëfyer në spitalin ushtarak se nuk ka qenë vetëm autori, por edhe persona të tjerë”.
Por policia ka mohuar përfshirjen e personave të tjerë në ngjarje. Policia e Shtetit thotë se ka të konfirmuar nëpërmjet dëshmive dhe pamjeve filmike e gjithë dinamika dhe deri më tani nuk ka person të tjetër që të jetë përgjegjës.
Ndërkohë deri më tani nuk ka pasur ansjë reagim nga Ministria e Arsimit, përveç reagimit në ditën e ngjarjes nga Kuvendi ku u përpoq të shmangte përgjegjësinë.
Të mërkurën kryeministri Edi Rama hodhi në diskutim publik masat që duhet të ndërmerren për të ndaluar dhunën e bullizimin në rrjete sociale, për të mbyllur TikTok apo Snapchat.