Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pas deklaratës së gazetarit serb, Branislav Kërstiq, i cili në Kanal 10 tha se gruaja e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, është duke jetuar dhe punuar në Beograd.
“Gruaja e kryeministrit tonë është e punësuar në Beograd”, ka thënë Kërstiq mbrëmë.
Këtë deklaratë e ka quajtur të pavërtetë zëdhënësi i Qeverisë, i cili tha se bashkëshortja e Kurtit jeton midis Oslos dhe Prishtinës.
“Sigurisht që kjo deklaratë e z. Kërstiq është e pavërtetë, prandaj lajmin që ai e ka prodhuar është i rremë. Lajm i rremë sepse z. Kërstiq është gazetar me profesion. Profesion që e shkeli me dy këmbë mbrëmë. Papërgjegjësinë e tij të plotë publike dhe profesionale pa asnjë vetëpërmbajtje dhe verifikim e shpërndanë brenda orësh një numër i konsiderushëm i medieve online dhe portaleve, duke u bërë platformë dhe altoparlantë të çfarëdo deklarimi armiqësor ndaj Kryeministrit. Për këtë gjë standardi është shumë i ulët, kurse vullneti duket të jetë i madh. Për hir të opinionit publik, bashkëshortja e Kryeministrit Kurti është e punësuar vetëm në Insitutin Norvegjez për Çështje Ndërkombëtare (NUPI) dhe jeton midis Oslos dhe Prishtinës. Gjithashtu, ajo nuk është anëtare në asnjë bord askund”, ka shkruar Kryeziu në Facebook
Kërstiq mbrëmë tha se gruaja e Kurtit është e punësuar në një kompani ndërkombëtare, e cila e monitoron dhe udhëheq prodhimin e elektricitetit në Serbi.
“Gruaja e z.Kurtit është duke punuar në Beograd. Është e angazhuar në një kompani ndërkombëtare e cila është duke monitoruar dhe udhëheq krejt prodhimin e elektricitetit në Serbi në shtetin e Serbisë”.