Për herë të parë pas disa muajsh të mërkurën, sirenat që paralajmëronin për sulme të ardhshme nga Libani nuk u dëgjuan në Izraelin verior, por megjithatë shumë banorë ishin të indinjuar nga armëpushimi i qeverisë me grupin e armatosur të Hezbollahut.
Marrëveshja, e cila premton t’i japë fund një konflikti ndërkufitar që ka vrarë mijëra që kur u ndez nga lufta e Gazës vitin e kaluar, shihet si një arritje e madhe nga administrata e presidentit amerikan Joe Biden, por ka ngjallur zemërim dhe shqetësim në veriun e Izraelit.
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha të martën se Izraeli ruan të drejtën e tij për të vepruar në rast se Hezbollahu i mbështetur nga Irani thyen kushtet e marrëveshjes.
“Çfarë të them? Është shumë keq, vërtet keq,” i tha Reuters-it, Levana Karsenti, banorja e Nahariya-s për marrëveshjen.
“Ata (qeveria) nuk bënë asgjë dhe ushtarët tanë u shpërndanë për asgjë. Bibi (Netanyahu) duhet të largohet shpejt nga qeveria, edhe pse unë e mbështeta atë. Ai duhet të shkojë urgjentisht në shtëpi.”
Shumë banorë të Izraelit verior kanë frikë se Hezbollahu mund të përpiqet të nisë një sulm tokësor, të ngjashëm me sulmin e Hamasit në jugun e Izraelit më 7 tetor 2023.
Sulmet e Hezbollahut kanë vrarë 45 civilë në Izraelin verior dhe në lartësitë e Golanit të pushtuara nga Izraeli. Rreth 60,000 njerëz të evakuuar nga shtëpitë në veri ende nuk janë udhëzuar të kthehen.
Pjesa më e madhe e dëmeve në Izrael është shkaktuar në zonat ngjitur me kufirin libanez, të goditur nga raketat e Hezbollahut.