Qeveria e Kosovës iu ka siguruar komunave 15 milionë euro për të mbuluar pagat në sektorin e arsimit.
Ky vendim sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, do t’iu mundësojë komunave të mbulojnë minuset e pagave për mësimdhënësit, që rrjedhin nga kontrata kolektive
Krahas kësaj, qeveria emëroi Arben Krasniqin, sekretar të përgjithshëm në Zyrën e Kryeministrit, si dhe miratoi një sërë projektligjesh dhe marrëveshje ndërkombëtare.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se vendimi për ndarjen e këtyre mjeteve bëhet në kuadër të kërkesës për kursime dhe ndarje të cilat janë në vlerë të 20 milionë eurove.
Pesë milionë euro të tjera iu ndan Policisë së Kosovës për të mbuluar nevojat shtesë për operacionet që zhvillojnë.
“Shuma në vlerë prej 20 milionë e 27 mijë euro është deklaruar si kursime nga organizatat e ndryshme buxhetore, ndërkaq për ndarje mjetet do të shfrytëzohen në rreth 15 milionë euro për të mbuluar minuset e pagave në organizatat buxhetore që janë kryesisht komunat. Qeveria me këtë rast po iu del në ndihmë komunave të cilat nuk kanë arritur që të sigurojnë mjetet e tyre për të mbuluar pagat që kryesisht janë në sektorin e arsimit
Kurse pesë milionë euro të tjera janë ndarë në kategorinë mallra dhe shërbime për Policinë e Kosovës për të mbuluar nevojat shtesë për operacionet që zhvillojnë”, tha ai.
Për emërimin e Arben Krasniqit, sekretar të përgjithshëm në Zyrën e Kryeministrit, ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla tha se janë ndjekur të gjitha dispozitat ligjore.
“Propozim-vendimi është në harmoni të plotë me dispozitat e ligjit për zyrtarët publik. I njëjti është diskutuar dhe konsultuar me të gjitha institucionet përkatëse dhe përmbushë kërkesat procedurale…Procedura e rekrutimit të sekretarit të Përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit është zhvilluar në përputhje të ligjit për zyrtarët publik dhe aktet nënligjore përkatëse”, theksoi Sveçla.
Krahas kësaj, qeveria i dha dritën e gjelbër Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje
Zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane, Besnik Bislimi, tha se qëllimi i marrëveshjes është që të krijohet baza e nevojshme ligjore që Kosova të përfitojë nga fondet e BE-së.
“Qëllimi i marrëveshjes është që të krijohet baza e nevojshme ligjore që Kosova të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian që ofrohen brenda këtij instrumenti për reformë dhe rritje. Ditëve në vijim do të finalizohet edhe marrëveshja për hua”, tha ai.
Qeveria, miratoi dy projektligje për marrjen e kredive, njëra për edukimin në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës, kurse tjetra për qasjen gjithëpërfshirëse në forcimin e sistemit shëndetësor.
Krahas kësaj, u miratua edhe Projektligji për rezervat e detyrueshme të naftës si dhe Projektligji për inspektoratin e arsimit në Kosovë
Ndërkaq u ndan edhe 50 mijë euro për Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të Zhdukurve të Kosovës.