Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq një shtetas izraelit, Rafael Genish dhe 38 shqiptarë të përfshirë në një skemë mashtrimi me call center, ndërsa akuzohen se kanë shkaktuar një dëm prej 2 milion euro, raporton ABC.
Lidhur me këtë çështje është zhvilluar një hetim tre vjeçar i kryer me metoda speciale, në bashkëpunim me shërbimet partnere te vendeve europiane dhe dëmi i shkaktuar kap vlerën mbi 2 milionë euro.
Hetimi u iniciua në bashkëpunim me autoritetet gjermane të Braunscëeig për mashtrim kompjuterik për arsye përfitimit me anë të platformave fictive “CFD-Tradingplattform” dhe “FX-Leader” etj. Gjatë hetimit u vërtetuan se transferta në vlera të larta monetare u kryen drejt një qendre thirrjesh (call center) me emërtimin “Capital SHPK 1001” me adresë Rruga Him Kolli, pas Golden City Hotel, Tiranë, ku vetëm në një rast u transferuan gjithsej 254.990.00 euro në llogari të ndryshme të platformës “fx-leader.com”.
Mësohet se të gjitha transferet e kësaj skeme, u nxitën nga autorët e kësaj vepre penale të konsideronin investimin e pasurive të tyre në një mënyrë fitimprurëse, ndër të tjera përmes reklamave në internet dhe në rrjetet sociale.
“Sapo viktima regjistrohej në platformën e mashtrimit me emër, mbiemër, email dhe numrin e telefonit, autorët i kontaktonin menjëherë në telefon dhe krijohej një lidhje besimi me “klientin” e pretenduar. Fillimisht viktimat tundohen të investojnë në sasi të vogla me premtimin se ndërmjetësi (broker) i pretenduar i faqes së investimeve, do të realizonte një fitim të madh me investimin e aksioneve dhe kripto valutave”, sqarohet në njoftimin zyrtar.