Të tjera detaje kanë dalë në dritë në lidhje me vrasjen e 50-vjeçarit Alfred Dedja në Ndroq të Tiranës
Gazetarja Klodiana Lala raporton për Balkanweb se autori i dyshuar i vrasjes Julian Gjoshi është një emër i njohur për policinë, pasi është prangosur më parë për armëmbajtje pa leje. Gjoshi ishte arrestuar më datë 18 janar 2021 për akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve dhe të municioneve” dhe “drejtim të mjetit në gjendje të dehur”. Bashkë me të në makinë në atë kohë ishte edhe një person tjetër
Jo vetëm kaq, por Gjoshi rezulton se është kunati i Altin Hajrit, shpallur në kërkim për vrasjen e Jan Prengës në ambientet e një kompleksi në Shijak.
Gjoshi është kunati, për të cilin Hajri kërkoi ndihmë te ish-deputeti i PS-së Jurgis Çyrbja, për ta nxjerrë nga burgu, pasi u kap nga policia. Mes Çyrbjes dhe Altin Hajrit ka pasur një sërë bisedash në aplikacionin Sky, ku Hajri kërkon nga Çyrbja që ta ndihmojë për lirimin e kunatit. Në bisedat e zhvilluara, Altin Hajri i kërkon ndihmë Çyrbjes për lirimin apo ndryshimin e masës së sigurisë për një nga të arrestuarit kundrejt ofrimit të shumave monetare, duke sugjeruar që të ndryshohet personi që mbante armën pa leje, si dhe dëmtimin e gjilpërës së armës së zjarrit, përpara kryerjes së ekspertimit nga policia shkencore