Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë ka dënuar ashpër sulmin e së premtes në kanalin e Ibër-Lepencit.
Në një reagim të bërë në platformën “X”, MPJ e Italisë e cilëson sulmin të neveritshëm.
Tutje thonë se kanë mirëpritur reagimin e shpejtë të KFOR-it dhe EULEX-it ndaj autoriteteve dhe popullit të Kosovës.
“Italia dënon sulmin e neveritshëm në kanalin ujor të Zubin Potokut, një infrastrukturë e rëndësishme kritike e vendit. Mirëpresim ndihmën e shpejtë të ofruar nga KFOR-i dhe EULEX-i autoriteteve dhe popullit të Kosovës, të cilëve u shprehim solidaritetin tonë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Italisë.
Deri tani Policia e Kosovës ka arrestuar 8 persona si të dyshuar për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok. Kështu ka bërë të ditur Ministri Xhelal Sveçla i cili tha se emrat s’mund të bëhen publik për shkak të hetimeve.
Ndërsa drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha tha se sipas ekspertëve ishte përdorur 15 kilogram eksploziv për sulmin, ndërsa tha se ishin konfiskuar armatim, uniforma ushtarake, zolla, thika.
Ndërsa dje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se furnizimi me ujë në zonat e prekura nga sulmi, po i kthehet normalitetit.