Qeveria ka prezantuar shifra të reja të çerdheve të ndërtuara, pasi kryeministri Albin Kurti foli në Kuvend për qeverisjen katërvjeçare.
Kurti nuk përmendi ndërtimin e çerdheve, por sot zgjodhi të fliste për numrin e fëmijëve në çerdhe, që tha se është rritur për 33%
“Në vitin 2021, të nderuar deputetë, në Kosovë kanë qenë të regjistruar në çerdhe 5555 fëmijë, ndërsa në vitin 2024 janë 7429 fëmijë apo 1874 fëmijë më shumë sesa në vitin 2021 – rritje prej 33%. Për tri vjet, është rritë për 33% numri i fëmijëve në çerdhe”, tha Kurti.
Për ndërtimin e çerdheve të reja, ai tash i inkurajoi komunat.
“Të gjitha kërkesat e komunave për çerdhe janë proceduar, por ne i inkurajojmë komunat që të kërkojnë më shumë çerdhe për fëmijët në komunat ku ata qeverisin”, tha ai.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se po investuan dhe po investojnë në 64 çerdhe. 14 prej tyre, tha se janë të përfunduara, dhe, “të adaptuara”.
“Ne i kemi investuar dhe po investojmë në 64 çerdhe. I kemi tashmë 14 çerdhe tashmë të përfunduara dhe të adaptuara. I kemi 38 në proces të ndërtimit dhe janë 12 çerdhe në proces të prokurimit”, tha ajo në Kuvend.
Për dështimin në përmbushjen e këtij premtimi, ajo e fajësoi opozitën.
“Prej vitit 2003 deri në vitin 2021, ministria e Arsimit ka ndërtuar vetëm 4 çerdhe. 13 vjet, 4 çerdhe. Për periudhën për më pak se 4 vite jemi duke investuar në 64 çerdhe dhe vetëm në këtë mandat, rritja e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm është 50.4%, sipas statistikave zyrtare, dhe përkundër vështirësive që i kemi, do të vazhdojmë t’i ndërtojmë çerdhet për fëmijët tanë, pa marrë parasysh se po hasim në pengesa të vazhdueshme nga ana juaj”, tha ajo para deputetëve
Nagavci pranoi se kishin premtuar ndërtimin e 160 çerdheve.
“Në momentin që i kemi planifiku këto çerdhe, ndonëse ju kemi njohur, megjithatë, ka qenë vështirë e imagjinueshme që kryetarët e komunave, që subjekte politike do të bojkotojnë ndërtimin e këtyre çerdheve vetëm për të thënë se Lëvizja nuk po e realizon premtimin e vet”, tha ajo.
Para më pak se dy muajsh, Nagavci thoshte në Tëvë1, siç raportonte televizioni, se “janë të finalizuara 4 çerdhe”.
Për më pak se dy muaj, ajo doli me shifra të reja. Këtë herë, te çerdhet e ndërtuara i përmend edhe ato të “adaptuara”.
Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, u nxitua sot të tregonte se numri i çerdheve të ndërtuara nuk është më 4, por pa përmendur numrin e çerdheve që ishin premtuar: 160