Një zemër artificiale permanente që mund të jetë, në të ardhmen e afërt, një alternativë e mundshme dhe efektive ndaj transplantimit të organit biologjik për pacientët me dështim të rëndë të zemrës, shpesh të detyruar të presin gjatë për organet për shkak të mungesës së tyre.
Jo një iluzion, por një qëllim që tani duket gjithnjë e më i afërt: deri në vitin 2025 do të realizohen implantimet eksperimentale të zemrave hi-tech me jetë “pa kufi”, rezultat i kërkimit të kompanisë franceze të teknologjive mjekësore, Carmat.
Ky njoftim u bë në një takim me mediat në fabrikën prodhuese të Bois D’Arcy, disa kilometra nga Parisi, shkruan Ansa, percjell Informim.net.
Në laboratorët, të quajtur ‘Chambre blanche’ (Dhomë e bardhë) për shkak të sterilitetit të plotë dhe ku punojnë rreth 20 teknikë dhe 60 inxhinierë, me një kapacitet prodhimi prej 500 zemrash në vit nga viti 2024, prodhohen dhe montohen zemrat artificiale.
Një linjë prodhimi “për jetën” ku roli i njeriut, përveç atij të makinave dhe robotëve, mbetet i rëndësishëm në disa faza të ndërtimit të organit teknologjik, i cili kërkon rreth 2 muaj për çdo pajisje dhe kostoja e tij aktualisht është rreth 200 mijë euro. Zemra artificiale totale përdoret sot, me implantimin e parë të realizuar nga Alain Carpentier në vitin 2013, si një “urë drejt transplantimit” për pacientët me dështim të zemrës biventrikulare terminale dhe të paaftë të përfitojnë nga terapia mjekësore ose nga pajisjet e ndihmës ventriculare (Vad).
Kështu stabilizohet pacienti dhe përmirësohet cilësia e jetës së tij duke e bërë të mundur që ai të presë transplantimin në shtëpi në vend të spitalit, me përfitime të dukshme klinike dhe përmirësim të kushteve shëndetësore, duke mundësuar përgatitjen më të mirë për transplantimin e mëvonshëm, si dhe kursime për Shërbimin Shëndetësor Kombëtar.
Zemra teknologjike është e lidhur me një sistem të jashtëm portativ (përmes një tubi nga barku) për furnizimin me bateri dhe për monitorimin e funksionimit të saj. Që nga viti 2013, zemra artificiale e plotë Carmat (e vetmja e autorizuar dhe e shitur në BE) është implantuar në 84 pacientë në Evropë dhe 3 në SHBA, ku është autorizuar gjithashtu një pajisje tjetër nga FDA. Katër raste janë regjistruar në Itali: që nga viti 2021, dy implante janë realizuar në spitalin Monaldi të Napolit, një në Niguarda të Milanos dhe një në San Camillo të Romës. Nga këto, 30 pacientë kanë marrë transplantim (përfshirë 4 italianë).
Transplantimi mbetet ende qëllimi i fundit, por problemi qëndron te mungesa e organeve të disponueshme përballë një rritjeje të vazhdueshme të kërkesës: dështimi i zemrës është në rritje në nivel global (prekt 64 milionë njerëz në botë me një mortalitet brenda 5 viteve mes 50% dhe 75% dhe shkakton 200 mijë shtrime në spital çdo vit vetëm në Itali), por 6 mijë transplantime të kryera çdo vit në botë mbulojnë vetëm 10% të nevojës totale.
Kjo është arsyeja për të arritur te zemra artificiale permanente, si një alternativë përfundimtare ndaj transplantimit. Një synim më i afërt falë teknologjisë ushtarake, e njëjta e aplikuar në raketa: “Përpara verës – shpjegon Stephane Piat, CEO i Carmat – do të kemi një kartë elektronike të re dhe super të sofistikuar, pjesë qendrore e zemrës artificiale, e projektuar për të mos pësuar dëmtim, e prodhuar nga një kompani italiane satelitësh. Ajo vjen nga teknologjia e aplikuar në raketa dhe do të miniaturizohet për t’u futur në organin hi-tech, duke e bërë atë të qëndrueshëm dhe të synuar për implantim të përhershëm”.
Do të jetë një inovacion i rëndësishëm, por tashmë zemra artificiale e plotë “përfaqëson një zëvendësues efikas dhe të sigurt të zemrës si një zgjidhje urë”, komenton Claudio Francesco Russo, drejtor i Kardiokirurgjisë në Niguarda dhe i cili ka realizuar një nga implantet.
Megjithatë, “ekziston ende një hendek i madh kulturor lidhur me përdorimin e këtyre pajisjeve, midis mjekëve dhe pacientëve, që mund të mbushet vetëm përmes zgjerimit të njohurive mbi efikasitetin dhe rezultatet e zemrës mekanike të mundshme për t’u implantuar”./Informim.net