Basha: Jam braktisur nga ata që nuk besojnë tek misioni, po tek karrigia

by Nexhat

Ish kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se është braktisur nga individë që kanë qenë krah tij për interesa personale dhe jo ata që kanë besuar tek misioni dhe tek mbrojtja e interesave të shqiptarëve. Ndërsa konfirmoi pjesëmarrjen në zgjedhjet e 11 majit, ai tha se po punohet mbi një program dhe listë deputetësh.

Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, i pyetur mbi përgjegjësitë e tij në kushtet kur Partia Demokratike pësoi gjatë drejtimit të tij përçarjen më të madhe në histori, zoti Basha tha se “përgjegjësia ime ishte të merrja një vendim të vështirë”, duke iu referuar përjashtimit të zotit Sali Berisha.

banner

Sa i përket, ngjarjes së 21 janarit, për të cilën janë rihapur hetimet, zoti Basha, u shpreh se interesat politike kanë penguar zbardhjen e saj nga drejtësia.

Zoti Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm kur garda qëlloi mbi protestuesit, siç është publikuar edhe në një audio që është bërë publike disa muaj më parë. Garda është në varësi të ministrit të Brendshëm. I pyetur nëse ishte në dijeni për veprimet që po ndërmerrte Garda, zoti Basha u shpreh se :“Absolutisht nuk kam pasur asgjë të bëjë me atë që ka ndodhur. Madje do të them diçka që në minutat e para më erdhi informacioni, që viktimat ishin anëtarë të policisë së shtetit”.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, nga një politikan me një karrierë të shpejtë, keni qenë ministër, kryetar i bashkisë së Tiranës dhe më pas drejtues i opozitës për shumë vite, sot gjenden pa një parti politike i braktisur thuajse nga të gjithë ata që keni patur në krahë. Ku mendoni se keni gabuar?

Lulzim Basha: Për fat të mirë, jam braktisur nga ata që nuk besojnë tek misioni, po tek karrigia. Në fakt, një nga mësimet më të rëndësishme të këtyre tre viteve është se edhe sikur të mos kishin ikur, unë duhet të kisha bërë gjithçka që mos t’i kisha afër. Këta janë njerëz që nuk e justifikojnë besimin e publikut, besimin e votuesve demokratë në 2021. Ata janë njerëz që i kanë vendosur interesat personale mbi interesat e domokratëve dhe shqiptarëve, jo vetëm me fjalë por edhe me vota, si bashkimi i votave me Edi Ramën për të nxjerrë nga burgu të korruptuarit e Edi Ramës në amnistinë famëkeqe, që tashmë është dokumentuar edhe nga raporti i progresit të Bashkimit Evropian. Por lajmi i mirë është që shumë demokratë dhe shumë shqiptarë nuk janë dorëzuar dhe besojnë se Shqipëria ka një shans ta lë pas këtë ngërç tashmë 34 vjeçar dhe përpjekjen e dinosaurëve të tranzicionit për të vazhduat për të mbajtur Shqipërinë peng për interesat e tyre, kundër interesave të shqiptarëve. Pikërishtë këtu e gjejmë veten ne, demokratët euroatlantikë dhe të gjithë ata shqiptarë që mezi presin ndryshimin.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, ju keni ankimuar në gjykatë atë që njihet si çështja e vulës së Partisë Demokratike dhe keni deklaruar se pavarësisht vendimit, ju do të merrni pjesë në garën e 11 majit. Çfarë prisni realisht nga këto zgjedhje?

Lulzim Basha: Në rrafshin e standardeve, tashmë është e qartë që në bashkëpunim me atë pjesë të opozitës, që për interesat e veta bashkëpunon me Edi Ramën kundër interesave të shqiptarëve, Edi Rama ka ndalur procesin e reformës zgjedhore dhe asnjë nga rekomandime e OSBE/ODIHR-it nuk është miratuar. Për më shumë, kanë mbyllur listat së bashku, tjetër veprim i përbashkët, sepse pa votat e opozitës kjo do të ishte e pamundur, duke i deprivuar qytetarët shqiptarë nga e drejta për të zgjedhur ata e jo kryetarët e partive politike, deputëtë dhe deputetët që duan Parlamentin e Shqipërisë. Kështu që nga ana e standardeve, padiskutim që jo vetëm ne, por edhe partnerët ndërkombëtar kanë ngritur shqetësime të mëdha. Megjithatë, besoj se këto zgjedhje, edhe pse do të ndodhin në një klimë pa shumë ndryshime nga ajo e 2021 ndërkohë që kanë dalë, janë publikuar përgjimet se si krimi i organizuar në Durrës, në rastin e Çyrbja, në Elbasan me bandat e Elbasanit, po edhe në raste të tjera, e ndihmoi Edi Ramën, duke i dhënë shumë mandate. Madje është e qartë se edhe vetë mandati i Edi Ramës është prodhim i bashkëpunimit me të ashtuquajturat bandat e Durrësit, pra me krimin e organizuar në Durrës, prapë se prapë shumica e shqiptarëve janë të paduruar për një ndryshim. Ata duan ta mbyllin këtë kapitull. Ne besojmë se edhe në kushte të vështira siç e ka treguar edhe historia e jonë, por edhe historia e kombeve të tjera, paraqitja e një alternative të besueshme e një programi, i cili adreson shqetësimet e qytetarëve për të cilat nuk flitet, sepse mediat në Shqipëri transmetojnë vetëm teatrin politik midis këtyre protagonistëve të vjetër dhe me një ekip të besueshëm, njerëzit që janë dhënë prova se e dinë që qëndrojnë edhe për interesat e shqiptarëve edhe në qoftë se kjo dëmton interesat e tyre personale, prapë se prapë ndryshimi është i mundur. Këtë do të përpiqemi të bëjmë ne me programin, listën dhe aleancat tona

Zëri i Amerikës: E keni listën, e keni ekipin gati zoti Basha?

Lulzim Basha: Është në proces. Besoj që kemi bërë progres të mirë në këto dy muajt e fundit dhe besoj që së shpejti do të jemi në gjendje të publikojmë një pjesë të mirë të emrave të kandidatëve tanë për deputetë.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, megjithatë në vitet që ju e drejtuat partinë demokratike, kjo force politike pësoi përçarjen e saj më të madhe, si kurrë më parë. Çfarë përgjegjësie keni ju për këtë?

Lulzim Basha: Përgjegjësia ime ishte të merrja një vendim të vështirë. Nëse do të pranoja që Partia Demokratike të futej në një kurs përplasje, jo thjesht me aleatin strategjik të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më vonë Britaninë e Madhe, por do të futej në një kurs përplasjesh që e djatha shqiptare, në veçanti Partia Demokratike e kanë AND-n e vetë, që është euroatlantizmi, bashkëpunimi me këta faktorë, të cilët çdo shqiptarë i njeh meritën e përmbysjes së komunizmit, e ndihmë për Shqipërinë demokratike, e evancimit të kauzës tonë kombëtare, si përmes anëtarësimit në NATO, ashtu edhe përmes çlirimit, pavarësimit dhe mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut e kudo tjetër. Pra, ka qenë një vendim i vështirë për shkak se shumë prej pasojave që më vonë pasuan ishin qartësisht të paralajmëruara nga ana tjetër, por ishte vendim i duhur. Është një vendim që i takon një lidershipi me përgjegjësi ku duhet të vendos një rrugë të vështirë po u shërbehet interesi i madh, interesi i të djathtës, interesi i Shqipërisë, apo një vendimi i cili do të vinte në interesin personal mbi interesat e grupit.

Zëri i Amerikës: Pra, nëse do të ktheheshit, a do të merrni të njëjtin vendim?

Lulzim Basha: Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Në mënyrë kategorike, vendimi u mor pas vendimit të zotit Berisha për të shmangur një kurs përplasje të Partisë Demokratike dhe për të ruajtur identitetin e partisë demokratike dhe demokratëve si bastion i qendrës së djathtë në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, cili pjesë të së djathtës po i drejtoheni ju dhe pse duhet t’ju ndjekin ata pasi ju dështuat që të sillnit në pushtet atë që ishte forca më e madhe opozitare?

Lulzim Basha: Në zgjedhjet e 2021-shit, siç e pranon tani edhe zoti Berisha dhe të gjithë ata që për dy vjet me radhë e ngritën furtunën e humbjes, zgjedhjet e 2021-shit ishin zgjedhje të manipuluara nga zoti Rama në bashkëpunim me krimin e organizuar. Është e qartë që përpjekja jonë për ndryshim nuk pati sukses, jo për shkak të mangësive tona, por për shkak të përfshirjes masive të krimit të organizuar dhe problemeve të tjera që ju sapo shpalosët edhe në kronikën e mëparshme të presionit të administratës ndaj qytetarëve, përdorimit të parave dhe mjeteve publike etj. etj….lista është shumë e gjatë. Lista është e OSBE-së, nuk është e jona apo e opozitës. Nëse e keni fjalën vetëm për të djathtën, sepse programi ynë i adresohet të gjithë qytetarëve shqiptarë, unë do të veçoja tre aspekte.

Aspekti i parë ka të bëjë pa dyshim me palcën e të djathtës historike shqiptare, që janë të përndjekurit dhe pronarët shqiptarë. Për herë të parë në 34 vite, demokratët euroatlantikë me programin e shpallur me 1 qershor, kanë marrë përgjegjësitë edhe për ato që nuk na takojnë ne si vendime, që nga 7,501-shi tek diskriminimi i të përndjekurve politikë sa për të lartë gojën dhe mos promovimi i kazës së tyre. Ndërsa në raport me pronarët, në veçanti kemi besoj duke ecur në shembullin e Kroacisë dhe me ndihmën e aleatëve tanë evropianë, kemi programin më të besueshëm dhe më të realizueshëm për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen e pronës. Kategoria e dytë ka të bëjë me sipërmarrjen. Taksat e ulët si një karburant për ekonominë shqiptare, për motorin e ekonomisë shqiptare dhe shumë propozime të tjera që kanë të bëjnë me derregullimin. Dhe grupi i tretë është familja shqiptare, e cila ndodhet në një krizë të thellë për shkak të keq-qeverisjes 12 vjeçare të Edi Ramës.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, do të doja të ndalem edhe në një çështje tjetër. Hetimet për 21 janarin janë rihapur. Ju disa herë e keni përsëritur se ju nuk i druheni hetimeve dhe se frikë duhet të kenë ata që kanë shkelur ligjin. Por ju keni qenë ministër i brendshëm në kohën kur garda qëlloi mbi protestuesit siç është publikuar edhe në një audio që është bërë publike disa muaj më parë. Garda është në varësi të ministrit të brendshëm. A nuk ishit ju në dijeni për veprimet që po ndërmerrte?

Lulzim Basha: Gjithçka që kam deklaruar, dhe një nga deklaratat më të plota e kam bërë pikërisht nga këtu, besoj disa muaj pas ngjarjes tragjike të 21 janarit, unë u qëndrojë 100 për qind. Kjo është një çështje që duhet të ishte zbardhur nga drejtësia. Interesat politike kanë penguar zbardhjen e saj nga drejtësia. Vetë Kryeministri Rama e ka keqpërdorur këtë ngjarje, duke filluar nga sebepi 21 janarit të cilin e gradoi, e bëri bashkëqeverisës, president e të tjerë, tek ata që i tregoi me gisht si toga pushkatimi dhe i bëri kryetarë të Partisë Socialiste, kryetarë bashkiakë të Partisë Socialiste. Pra sa herë që politika keqpërdor ngjarje të tilla tragjike, e vërteta varroset. Por koha ka ardhur që kjo e vërtetë të zbardhet dhe do të zbardhet nga drejtësia. Është detyrë e drejtësisë ta zbardhë.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha ishit ju në dijeni të urdhërit?

Lulzim Basha: Absolutisht nuk kam pasur asgjë të bëjë me atë që ka ndodhur. Madje do të them diçka që në minutat e para më erdhi informacioni, që viktimat ishin anëtarë të policisë së shtetit. Por kjo është një deklaratë me pak vlerë për atë që ka ndodhur. Është një ngjarje dhimbshme. Drejtësia dhe vetëm drejtësia duhet lënë të punojë në pavarësi të plotë, me profesionalizëm dhe larg interesave politike për të zgjidhur gjithëçka, për çdo ngjarje kriminale, për çdo ngjarje, ku kanë humbur jetën njerëzit në mënyrë tragjike, duke përfshirë këtu edhe 21 janarin.

Zëri i Amerikës: Prokuroria urdhëroi arrestimin e drejtuesve të Gardës së asaj kohe, por policia nuk pranoi që të zbatonte urdhërin e prokurorisë. Rëndon kjo mbi ju si titullar i institucionit?

Lulzim Basha: Zbatimi i ligjit ka qenë dhe mbetet kriteri kryesor i çdo aktiviteti timin publik dhe politik. Kjo është ajo që ju dallon sot në Shqipëri me atë që quhet trekëndëshi i Bërmudës. Kjo është ajo që më diferencon në mentalitet sa i takon ligjit, sa i takon të sotmes dhe të ardhmes së shqiptarëve. Kështu që në mënyrë kategorike, në çdo akt timin publik dhe politik gjatë gjithë këtyre viteve, në çdo kapacitet, zbatimi i ligjit dhe vetëm zbatimi i ligjit ka qenë mantra dhe insistimi im në çdo rast, duke përfshirë edhe këtë rast.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy