Gjykimi në rastin “Bon Vivant 2” shtyhet në mungesë të prokurores, i akuzuari Pajaziti reagon i revoltuar

by Nexhat

Seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj Andi Pajazitit, i cili akuzohet për vrasjen në lokalin “Bon Vivant”, është shtyrë në mungesë të prokurores Nebahate Salihu. Vetë i akuzuari, në këtë seancë reagoi i revoltuar duke thënë se prokurorja ka lidhje familjare me palën e dëmtuar dhe po ashtu theksoi se po mbahet në paraburgim pa të drejtë.

Fillimisht, në këtë seancë ishte planifikuar administrimi i provave materiale, përkatësisht shikimi i video-incizimeve nga CD-të, mirëpo gjyqtari i rastit, Eroll Gashi njoftoi palët prezente se kjo gjykatë përmes një parashtrese të dorëzuar me e-mail, është njoftuar nga prokurorja Salihu, se ajo ka kërkuar anulimin e seancës.

banner

Sipas gjykatësit, Salihu ka kërkuar anulimin e seancës ngase pas analizimit të gjendjes faktike ka parashtruar kërkesë për caktim të kompetencës lëndore dhe lëndën e ka përcjellë në Zyrën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”

Lidhur me këtë, reaguan edhe mbrojtësit e të akuzuarit Andi Pajaziti, avokatët Florent Latifaj dhe Fanol Krasniqi.

Avokati Latifaj ka kërkuar nga gjyqtari Gashi ndërprerjen e masës se paraburgimit për të akuzuarin Pajaziti, me arsyetimin se nuk ka bazë ligjore për mbajtjen e tij të mëtutjeshme nën masën e paraburgimit.

“…nuk keni arsye e as të drejtë ligjore, sepse nuk e keni palën e cila akuzon, nuk keni çështje me gjyku, mbajtja e tij nga ky moment është “kidnapim” nuk është masë për sigurimin e prezencës së tij në këtë proces” tha ai.

Ndërsa, fjalën e avokatit Latifaj e ka përkrahur edhe avokati Krasniqi, ku ndër të tjera ka theksuar se mbajtja e të akuzuarit Pajaziti nën masën e paraburgimit është e kundërligjshme.

Po ashtu, mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Flakron Sylejmani, deklaroi se vazhdojnë të mendojnë se aktakuza është skandaloze dhe si e tillë është e papranueshme për palën e dëmtuar, me ç’rast konsideron se Prokuroria nuk e ka kryer punën si duhet.

Lidhur me kërkesën e avokatëve Latifaj dhe Krasniqi, për ndërprerje të masës së paraburgimit për të akuzuarin Pajaziti, gjyqtari Gashi tha se gjykata gjithëherë do të veprojë sipas dispozitave ligjore në fuqi

Në anën tjetër, vetë i akuzuari Pajaziti reagoi i revoltuar, duke thënë se prokurorja Salihu është familjare me palën e dëmtuar e që këta të fundit e thirrin mbesë.

“Për arsye se është familjare me palën e dëmtuar dhe e thirrin mesë, me këtë arsye po mundohet me çdo kusht me i japë kahje tjetër zoti gjykatës, kur në këtë rast që jam unë i akuzum për këtë vepër që jam unë i akuzum nuk është e drejtë me u akuzu”, tha Pajaziti.

I akuzuari shtoi se veprën e ka kryer në vetëmbrojtje.

“E ka pa krejt bota që jam vetëmbrojtë, nuk kam pas zgjidhje tjetër ose me m’vra, ose me mbrojtë veten”, tha Pajaziti, duke shtuar se ka qenë nga të trija anët i sulmuar.

Sipas tij, ai po qëndron në paraburgim pa asnjë të drejtë. E gjykatësi i tha të akuzuarit se do të caktohen seancat tjera për këtë gjykim, e në rast se prokurori i shtetit mungon, do të ndërmerren veprime.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 21 qershor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj Andi Pajazitit lidhur me vrasjen e 4 gushtit 2023 në lokalin “Bon Vivant”. Pajaziti ngarkohet për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” pasi që sipas Prokurorisë nga tronditja që kishte marrë prej tani të ndjerit K.R., i akuzuari pa fajin e tij dhe pa menduar për pasojat e kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë në drejtim të K.R.

Ndryshe, në këtë rast i ndaluar ishte edhe N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Të njëjtit, pas një muaji nga kjo masë, i është ndërprerë paraburgimi, pasi nuk kishte kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit. Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, si të dyshuar për përfshirje në këtë rast, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.

Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti thuhej se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të pandehurve.

Policia e Kosovës e kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy