SBASHK-u: Ministrja Nagavci nuk po e thotë të vërtetën, me fajin e saj nuk ka pasur fare dialog

by Nexhat

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka reaguar ndaj deklaratave të minstres së Arsimit, Arbërie Nagavci. Kjo organizatë sindikale ka thënë se ‘ministrja në vend që të merret me kërkesat që zëshëm ia thanë kryetarët dhe udhëheqësit sindikalë, që nga çerdhet e deri në universitete, në protestë, ministrja Nagvci, del me deklarata duke u munduar të dezinformojë e duke thënë gjëra krejt të pavërteta’.

“Tenton ta mashtrojë opinionin se, nuk paska munguar asnjëherë dialogu me SBASHK -un, por e vërteta është se i kemi dërguar shumë kërkesa për takime dhe, duke dhënë arsyetime se qenka shumë e angazhuar, nuk ka gjetur kohë për dy vite me radhë të takohej me përfaqësuesit e SBASHK-ut, e për të dëgjuar kërkesat legjitime të punëtorëve të arsimit, e për tu angazhuar që ti realizojë ato. Pra, Ministrja nuk po e thotë të vërtetën. E vërteta është se, me fajin e saj nuk ka pasur fare dialog”, thuhet në reagim.

banner

Në reagim theksohet se as lidhur me pagat, ‘ministrja nuk po e thotë të vërtetën, por po mundohet të dezinformojë opinionin’.

“Në vitin 2024, me ngritjen që ministri Murati i bëri vlerës së koeficientit, ndodhi ngritja ironike e nënçmuese e pagës për punëtorët në Arsimin Parauniversitar prej vetëm 28 euro. Para Qeverisë Kurti, pagat në sektorin e arsimit në Kosovë ishin, bile, të njëjta a të përafërta me të punësuarit në këtë sektor në Shqipëri, Maqedoni apo në Mal të Zi, kurse tani realiteti është i dhembshëm”, thekson SBASHK-u.

SBASHKU, thekson se pagat e punëtorëve të arsimit në Shqipëri, janë për qindra euro më të larta se pagat e punëtorëve të arsimit në Kosovë.

“Pra, edhe për pagat, Nagavci nuk e tha të vërtetën. Nagavci nuk e tha të vërtetën as për Kontratën e Re Kolektive të Arsimit dhe për të krijuar mjegull, e me qëllim të keq, e përziente Marrëveshjen Kolektive në nivel vendi me Kontratën Kolektive të sektorëve”, thuhet në reagim.

Sipas SBASHK-ut, ‘marrëveshja kolektive mungon, sepse kolegu i Nagavcit, ministri Murati, si armik i përbetuar i dialogut dhe sindikatave, ka paralizuar Këshillin Ekonomik Social, pra’e ka bërë jo-funksional’.

“Nagavci e di se Kontratat Kolektive parashihen me Ligjin e punës dhe nuk ka të bëjë Këshilli Ekonomik Social me to, por negociohen e nënshkruhen nga sindikatat, si SBASHK, sindikata e policisë, ajo e shëndetësisë, apo ajo e administratës me ministritë gjegjëse. Nuk e thotë Nagavci të vërtetën as për kërkesën tonë lidhur me Kontratën Kolektive”, thuhet në reagim.

Në reagim theksohet se SBASHK që nga greva e 1 majit, ka kërkuar të nisin bisedat për Kontratën e Re Kolektive të Arsimit dhe me 2 tetor, e kemi dorëzuar Draftin e kësaj kontrate në MASHTI, dhe më 3 tetor një ekzemplar, ashtu si kërkoi Ministrja, ia kemi dërguar në adresën elektronike.

“Në maj dhe në muajt vijues, as në tetor nuk ishte kohë fushate zgjedhore, dhe po të donte Nagavci, në fillim të nëntorit do të përfundonin negociatat dhe do të nënshkruhej Kontrata e Re Kolektive e Arsimit, por duke qenë kundër Kontratës, Ministrja është kundër punëtorëve të arsimit. Ministre, ne do të reagojmë me argumente sa herë që provon të plasosh dezinformata”, përfundon reagimi i SBASHK-ut

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy