Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka pushuar hetimet ndaj Sokol Bashotës për vepra penale që ndërlidhen me krime të luftës.
Kjo është bërë e ditur nga vetë Bashota pas përfundimit të dëshmisë së tij më shumë se katërditore, në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit,.
“Në vitin 2019 isha ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në cilësinë e personit të dyshuar të intervistohesha nga kjo zyrë. Pas (5) viteve hetime, tani, me datën 19 Shtator 2024 jam njoftuar zyrtarisht se të gjitha hetimet ndaj meje kanë pushuar”, tha Bashota përmes një postimi në rrjete sociale.
Ai tha se kjo nuk është vetëm fitore e tij, por edhe triumf i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Pushimi i hetimeve ndaj meje nuk është fitore vetëm e imja, por edhe triumf i pastërtisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjithnjë kam besuar në pastërtinë e luftës së UÇK-së, i bindur se me asnjë veprim timin dhe bashkëluftëtarëve nuk kemi cenuar normat ligjore dhe ato njerëzore. Pastërtia e luftës së shenjtë të UÇK-së, u konfirmua edhe një herë zyrtarisht. Shfrytëzoj rastin ta falënderoj edhe avokatin tim z. Artan Qerkini për ndihmën profesionale në arritjen e këtij qëllimi”, shkroi tutje Bashota.
Ndryshe, ditë më parë, ZPS-ja ka pushuar hetimet edhe ndaj Halil Çadrakut e po ashtu edhe ndaj Shukri Bujës. /BetimipërDrejtësi