Partia e Lirisë zhvilloi sot një protestë para godinës së SPAK dhe gjatë tubimit u lexua edhe mesazhi i presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në burg.
Në letrën e cila u lexua para protestuesve, Meta akuzoi kreun e SPAK Altin Dumani, ku theksoi se nuk ka hallin e qytetarëve por të Ramës dhe Veliajt që t’i mbajë në pushtet për interesin e tij dhe të disa mercenarëve si vetja.
“Ajo që kisha paralajmëruar prej muajsh veçse u përforcua nga vetë Dumani para pak ditësh kur kërkoi ende pa bërë gjysmën e parë të mandatit 9-vjeçar, të sigurojë edhe një mandat tjetër 9-vjeçar gjoja në emër të pavarësisë së prokurorive.
Jo, ai nuk ka hallin e pavarësisë së prokurorive, por të përjetësisë të privilegjeve të tij dhe garantimit të pandëshkueshmërisë së tij për shkeljet e hapura të Kushtetutës, të ligjeve, të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe të mos hetimeve për të gjitha ato kallëzime që opozita dhe shoqëria civile kanë bërë në SPAK”, shkruan Meta
Meta e cilësoi Dumanin si “dhunues jo vetëm të Kushtetutës dhe ligjeve por edhe të pavarësisë së gjykatave”.
Duke u ndalur tek dosja e tij, Meta nënvizonte se “pas 5 vitesh hetimesh të turpshme dhe të manipuluara, të nisura nga vetë Dumani, Ilir Meta dyshohet se favorizoi një biznesmen përmes ndryshimit të një ligji, amendamentet e të cilit i propozoi deputetja e Edi Ramës, i cili i dha edhe mbi 65 vota këtij ligji përveç fjalimit të tij patetik”.
“Ndaj të mos ndalemi së denoncuari Dumanin që nuk guxon kurrë të dalë para gazetarëve të pavarur dhe gjithë mercenarët sorosistë si ai në SPAK dhe në sistemin e drejtësisë”, shkruan Meta.
Në përmbyllje të mesazhit të tij, Meta theksonte se “Dumani në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin e ka shpërdorur për qëllime politike pozitën aktuale, pasi thelbi i vetë SPAK ishte pavarësia e fortë individuale e çdo prokurori dhe jo shndërrimi në parti politike bashkëqeverisëse siç e ka kthyer Dumani”