Skënder Perteshi nga Instituti “Prevent”, ka folur për agresionin në Banjskë shtatorin e vitit të kaluar dhe sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit. Perteshi tha se terroristët që kanë marrë pjesë në agresionin në Banjskë janë në listat e pagave të strukturave të sigurisë së Serbisë.
“Po ashtu shumica e njerëzve që kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskës janë pjesë e Mbrojtjes Civile dhe financiarisht mbështetet direkt prej Serbisë. Ka edhe shumë informacione që AKI-ja, Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit i kanë”.
“Po besoj që të gjitha këto informacione i kanë ndarë nëpërmjet rrugëve zyrtare me shtetet e BE-së dhe nuk shoh ndonjë arsye se pse NATO dhe BE-ja nuk i bëjnë presion Serbisë për këto dy sulme. Janë dy grupe që janë të lidhura me “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” që kanë lidhje të ngushta dhe marrin mbështetje prej strukturave të sigurisë së Serbisë”, tha Perteshi në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Tutje, Perteshi tha se këto dy grupe, “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, për vite me radhë, së bashku me mbi 90 kanale aktive që janë në “Telegram”, në baza ditore publikojnë lajme propaganduese ku sipas tij, tentojnë ta minojnë besimin e serbëve që jetojnë në Kosovë ndaj institucioneve të Kosovës.
“Po ashtu bëhet thirrje tek qytetarët serbë që të bëhen gati për rezistencë, t’i sulmojnë pajisjet e Policisë së Kosovës, institucionet e Kosovës. Nëpërmjet këtyre grupeve, KFOR-i, EULEX-i e Perëndimi shihen si armiq të popullit serb”, tha ai.