Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka komentuar sulmin e 29 nëntorit në kanalin Iber-Lepencit në Zubin Potoku, duke theksuar se ky ishte një moment i vështirë për Kosovën.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Tahiri është shprehur se përveç vështirësisë, ky ishte gjithashtu një moment që kërkonte thirrje për veprim nga ana e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës.
“Fillimisht ne e kemi dënuar sulmin e 29 nëntorit, ka qenë një ndër momentet e vështira për Kosovën, por njëkohësisht ka qenë një moment i thirrjes së mendjes së Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës që të bëjnë shumë më shumë për një shtrirje të sovranitetit në formë praktike dhe reale dhe jo në formë fiktive. Sovraniteti dhe mbrojtja e shtetit nuk është lojë është proces shumë serioz dhe këtë duhet ta bëjmë. Atë që duhet ta bëjmë shpejtë është që hetimi tregon fajtorët, adresën kryesore dhe mbi të ndërtojmë strategjinë tonë për të treguar se ky sulm ka qenë sulm i sponsorizuar nga agjendat armiqësore të Kosovës. Dhe pastaj të forcohet argumenti ynë në drejtimin tonë drejtë rrugës për integrim euro-antlanik”, ka deklaruar Tahiri.
Tahiri ka theksuar se duhet të bëhen hetime të thella për të zbuluar fajtorët dhe se ky sulm mund të ketë qenë i sponsorizuar nga agjenda armiqësore të Kosovës.
“Nuk e di veprimet e as angazhimet vetëm krejt çka dimë është një defilim i Kurtit dhe ministrave të tij në veri të Kosovës, janë hapur disa biznese ëmbëltore gjatë verës, janë larë qytetarët në Ujman, më shumë nuk dimë për veprimet e tjera. Ajo që po e përsërisë është që akti është i dënueshëm dhe akt terrorist dhe sulm ndaj vendit tonë, në këtë temë ne qëndrojmë me institucionet e sigurisë të Kosovës, për ndryshe veprimet kanë qenë veprime eksperimentale, shumë herë jo serioze dhe si rrjedhojë kemi dështuar dhe kemi humbur”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu ka theksuar se agjenda armiqësore e Serbisë nuk do të ndalet deri në arritjen e një marrëveshjeje finale.
Deputeti ka bërë thirrje që Kosova të forcojë sigurinë dhe strukturat e saj, duke përfshirë Policinë e Kosovës, AKI-në dhe Ushtrinë.
“Kurrë nuk do të ndalet agjenda armiqësore e Serbisë deri sa të ketë një marrëveshje finale, por kjo nuk duhet të na brengos, brenga duhet të jetë se çka po bëjmë ne dhe çka po bënë Kosova ,sa po e forcojmë Policinë e Kosovës, AKI-në, Ushtrinë, kurrë Serbia nuk do të ndalet, por kjo nuk duhet të na preokupojë, frika është pengesë, ne duhet të na preokupojë forcimi ynë i cili ndodh vetëm me një adresë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar Tahiri.
Të premten e 29 nëntorit ndodhi shpërthimi që dëmtoi kanalin e ujit Ibër-Lepenc, në veri të Kosovës, ku pas shpërthimit, Policia e Kosovës ka kryer bastisje dhe ka gjetur municion, armë dhe uniforma, si dhe ka arrestuar disa persona./EO