Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Departamentin Amerikan të Shtetit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u mirëprit nga drejtoresha për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Jugore, Colleen Hyland.
Përgjatë takimit u bisedua rreth zhvillimit dhe rritjes ekonomike të Kosovës, sigurinë energjetike dhe investimet në këtë fushë.
Temë e trajtuar ishte edhe sulmi kinetik i 29 nëntorit në kanalin e Ibër Lepencit, si vazhdimësi e përpjekjeve, planifikimeve dhe organizimeve me synim destabilizimin e Republikës së Kosovës.
Bislimi i falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dënimin e sulmit dhe mbështetjen ndaj vendit tonë në zbardhjen e plotë të tij.
“Më tej, ai foli dhe rreth iniciativave e politikave të ndërmarra nga qeveria për të mbështetur komunitetin serb në Kosovë dhe lehtësimin e integrimit të tyre. Në takim u diskutua dhe rreth zhvillimeve në lidhje me procesin e dialogut”, thuhet në komunikatën për media.