Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Europian, Riho Terras hezitoi të flasë për qëndrimin e tij lidhur me dialogun me Serbinë dhe çështje të tjera në vizitën e tij të parë në vend për misionin treditor për mbledhjen e fakteve.
Ai tregoi në një konferencë për media se është takuar me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, dhe se do të zhvillojë takime edhe me liderët e partive opozitare, por edhe me përfaqësues të shoqërisë civile
“Më jepni mundësinë që të takohem me të gjitha palët dhe me të gjithë njerëzit që t’i marrë pikëpamjet e tyre”, tha ai pasi u pyet për qëndrimin e tij lidhur dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Terras tha se ka folur me shumë persona në Kosovë përpara se të vinte fizikisht, ndërsa u shpreh i kënaqur që për herë të parë po merr informacione nga terreni.
“Jemi këtu për ta ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në BE”, tha ai.
Terras tregoi se do të shkojë edhe në pjesën veriore të vendit ku do t’i zhvillojë disa takime, dhe se do ta vizitojë edhe kanalin e Ibër-Lepencit ku ndodhi sulmi në fund të nëntorit.
Ai u shpreh i sigurt se autoritetet e Kosovës do ta zbulojnë se kush qëndron pas këtij sulmi.
Për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ai tha se “të gjithë kriminelët duhet të sillen përpara drejtësisë”.