Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se falë revolucionit në teknologji Shqipëria ia doli t’i rezistojë sulmeve kibernetike nga Irani.
I pranishëm në Konferencën rajonale “Formësimi i së Ardhmes së GovTech”, Rama u ndal te ndikimi që ka revolucioni digjital në çdo aspekt të funksionimit të shtetit.
“Sot ne jemi në fazë tjetër dhe diskutojmë për gjëra komplet të tjera. Do të ishim sot në një situatë krejt të ndryshme nëse kur u goditëm nga pikëpamja kibernetike nga një prej fuqive më të mëdha në këtë drejtim, por edhe më malinje që ka në botën e sotme, Iranit, nuk do të kishim qenë në gjendje të rezistonim. Por rezistuam dhe pikërisht pse kemi vendosur një bazë të tillë jemi në kushtet kur po hedhim hapat e parë të një faze të re të revolucionit të teknologjisë”, tha Rama.
Ndërsa u ndal tek ofrimi i shërbimeve përmes platformës e-Albania, Rama solli në vëmendje impaktin pozitiv që kishte ofrimi i shërbimeve online në periudhën e pandemisë.
“Shqipëria që ne morëm përsipër të udhëheqim ishte një vend ku faktikisht qeverisja digjitale nuk ishte akoma në belbëzimet e para dhe ajo që sot është porta e madhe e hyrjeve dhe daljeve të shqiptarëve në gjithë labirintet e administratës publike, e-Albania, ishte asaj kohe një qenie krejtësisht e papërfillshme në raport me gjithë nevojat e administratës dhe qytetarëve për të ndërvepruar me njëri-tjetrin me një numër qesharak shërbimesh dhe përdoruesish”, tha Rama.