Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në shënim të 9 dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, sot ka filluar konferencën dy-ditore me temën “Rinia për integritet politik”. Në ditën e parë, është diskutuar rreth rolit thelbësor të të rinjve në promovimin e integritetit zgjedhor dhe forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në Kosovë.
Në hapje të konferencës, Ambasadori i Suedisë, Jonas Westerlund, vlerësoi aktivizmin dhe kontributin e të rinjve në luftën kundër korrupsionit. “Korrupsioni përbën një kërcënim serioz për demokracinë. Aktivizmi qytetar bëhet thelbësor kur qytetarët angazhohen në raportimin e keqpërdorimeve”, ka thënë Ambasadori Westerlund.
Ndërkohë, Edita Mustafa-Salihi, koordinatore e programeve në KDI, nënvizoi rëndësinë e angazhimit të të rinjve në luftën kundër korrupsionit dhe përfshirjen e tyre në jetën politike përmes formave kreative, si shkrimi i editorialeve apo përdorimi i fotografisë për të pasqyruar sfidat e integritetit. Ajo gjithashtu evidentoi një sërë aktivitetesh të organizuara nga KDI gjatë këtij viti, me theks të veçantë te Akademia Kundër Korrupsionit “GO4IT,” që ka fuqizuar të rinjtë për të vepruar si agjentë të ndryshimit.
Paneli i parë i diskutimit mblodhi kandidatë të rinj për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, theksoi se korrupsioni minon ambiciet e të rinjve dhe pengon zhvillimin e tyre. Ai vlerësoi rëndësinë e një rinie aktive, zëri i së cilës dëgjohet dhe reflektohet në proceset vendimmarrëse.
Ilirik Musliu, kandidat nga Partia Demokratike e Kosovës, ndau vizionin dhe përkushtimin e tij për angazhimin në Kuvendin e Kosovës. “Tek të rinjtë shoh energji dhe përkushtim për të ndryshuar normat shoqërore dhe institucionale. Si deputet i ardhshëm, po punoj çdo ditë për të shfrytëzuar potencialin dhe përgatitjen e rinisë në shërbim të institucioneve,” theksoi Musliu.
Nga ana tjetër, Paris Guri, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës, u ndal tek nevoja për, siç e quajti ai, rikthimin e shpresës për të ardhmen e vendit. “Sfida kryesore sot është largimi i të rinjve. Është detyrë e jona, së bashku me të gjithë, të punojmë për rikthimin e shpresës dhe ndërtimin e një shteti pa korrupsion, me arsim cilësor dhe me institucione që ofrojnë llogaridhënie,” deklaroi Guri.
Diellza Kukaj, kandidate e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, vuri theksin në faktin se Kosova ka popullsinë më të re në rajon dhe në Evropë. “Jam e vetëdijshme për përgjegjësinë që mbart kjo kandidaturë, dhe besoj fuqishëm se angazhimi im do të sjellë ndryshime pozitive. Të rinjtë mund të ndikojnë realisht vetëm duke u përfshirë drejtpërdrejt në politikë,” u shpreh Kukaj.
Në kuadër të konferencës, KDI/TIK ka ndarë çmimet për shkrimet dhe fotografitë më të mira, të cilat kanë pasqyruar luftën kundër korrupsionit dhe rëndësinë e integritetit qytetar.
Çmimet kryesore për fotografitë më të mira në fotogarën e KDI-së “Fotografo korrupsionin” e kanë fituar: Kushtrim Krasniqi – vendin e parë; Burim Mjeku – vendin e dytë; ndërsa vendin e tretë ka fituar Erand Fejzullahi.
Ndërsa, çmimet kryesore për editorialet më të mira u janë ndarë: Erëza Krasniqit për vendin e parë; Erblina Kamenicës për vendin e dytë; si dhe Laura Spaçit për vendin e tretë.