Apeli e kthen në rigjykim rastin e Çaslav Joliqit, i akuzuar për krime lufte në Kosovë gjatë vitit 1998

by Nexhat

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj të akuzuarit për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë gjatë vitit 1998, Çaslav Joliq, i cili ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës.

Joliq më 10.06.2024 ishte dënuar nga Gjykata e Prishtinës me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 vitesh në bazë të ligjit penal të ish-RSFJ-së.

banner

Vendimi lidhur me këtë rast ishte marrë nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Musa Konxheli, Valbona Musliu-Selimaj dhe Mentor Bajraktari.

“Me aprovimin e ankesës së mbrojtësit të akuzuarit Ç.J-av.M.B., aktgjykimi Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, ANULOHET dhe lënda i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim” – thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

“I akuzuari Ç.J. mbetet nën masën e paraburgimit gjersa gjykata e shkallës së parë në rigjykim merr vendim tjetër”, thuhet tutje në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Kundër aktgjykimit të Gjykatës themelore në afatin ligjor ankesë në Gjykatën e Apelit ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Miodrag Brklaç, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi dënimin dhe shpenzimet e procedurës penale, me propozim që Gjykata e Apelit e Kosovës, ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar dhe të akuzuarin ta lirojë nga akuza apo lëndën ta kthejë në rigjykim dhe rivendosje ose që aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë përkitazi me vendimin mbi dënimin duke i shqiptuar një dënim më të butë, raporton Kallxo.com.

Përgjigje ndaj ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit ka ushtruar prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me propozim që ankesa e mbrojtësit e të akuzuarit të hidhet si e pabazuar ndërsa aktgjykimi i Themelores të vërtetohet.

Ndaj ankesës së avokatit Prokuroria e Apelit ka paraqitur parashtresë përmes së cilës ka propozuar që të refuzohet ankesa e mbrojtësit e të akuzuarit Çaslav Joliq, avokatit Miodrag Bërklaç si e pabazuar, ndërsa aktgjykimi i Themelores të vërtetohet.

Gjykata e Apelit pas marrjes së ankesës dhe përgjigjeve ndaj ankesës, ka caktuar dhe mbajtur seancën e kolegjit ku kanë prezantuar të dëmtuarit Z.M. dhe N.C., i akuzuari Çaslav Joliq me avokatin e tij Miodrag Bërklaç, ndërkaq nuk ka prezantuar askush nga Prokuroria e Apelit.

“Gjykata e Apelit analizoi aktgjykimin e ankimuar së bashku me shkresat e lëndës, detyrimisht në kuptim të dispozitës së nenit 394 par.1 të KPPK, vlerësoi pretendimet ankimore të mbrojtësit e të akuzuarit Ç.J-av. M.B., si dhe përgjigjen në ankesë e ushtruara nga PSRK dhe gjeti se: ankesa është e bazuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit

Ky vendim është marrë nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët Burim Ademi, Vaton Durguti dhe Kreshnik Radoniqi.

Çka thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, në vitin 1998, në lagjen “Bllagaq” të fshatit Gurakoc, ishte rrëzuar një helikopter i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe për këtë arsye i dëmtuari Z.M. po i shoqëronte për te vendi i ngjarjes dy gazetarë, njëri anglez e tjetri belg, së bashku me një përkthyese shqiptare.

Me të arritur te vendi i ngjarjes nga shtëpia e Rosa Pejoçinoviqit dalin pesë persona të veshur me uniformë të Policisë serbe, Radule (Dule) Pejoçinoviq, Çaslav Joliq, Darko Pejçinoviq, Millosh Joliq dhe një person tjetër i paidentifikuar. Të njëjtit akuzojnë të dëmtuarin Z.M. se pse i kishte sjellë gazetarët në vendin e ngjarjes. Pas këtyre akuzave të lartcekurit e sulmojnë fizikisht dhe dy prej policëve e kapin për krahu dhe në prezencë të gazetarëve kishin filluar ta godisnin me grushte dhe shqelma për një periudhë prej 20 minutave deri sa në një moment personi me nofkën (Dule) e kishte goditur me boks në kokë të dëmtuarin më ç’rast Z.M. kishte humbur vetëdijen dhe ishte rrëzuar në tokë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Sipas dosjes së Prokurorisë, më 15 mars të vitit 1998, derisa i dëmtuari tjetër N.F. po pinte kafe në restorantin “Shija” në Gurakoc, i shoqëruar nga disa persona, në lokal kishin shkuar 5 policë serbë dhe duke e kapur për qafe e kishin tërhequr zvarrë jashtë lokalit, pastaj të gjithë fillojnë ta sulmojnë fizikisht duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.

Sipas aktakuzës, polici me emrin Rade Pituliq e kishte goditur me tytë të automatikut disa herë në kokë duke ia mbuluar tërë trupin në gjak, dhe duke e tërhequr zvarrë e kishin dërguar në stacion të Policisë në Gurakoc. Tutje në dosje thuhet se duke e dërguar në stacion të dëmtuarin e njoftojnë se do ta ekzekutojnë. Ndërsa më 28 mars të po të njëjtit vit të dëmtuarin e kishin detyruar që ta lëshojë shtëpinë si çdo banor tjetër i fshatit

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy