Ata janë të rinj, të moshuar, trupmëdhenj, të hollë, të bardhë e me ngjyrë të errët. Mes tyre janë zjarrfikës, shofer kamioni, ushtarë, roje sigurie, një gazetar dhe një DJ.
Këta janë 50 burrat e akuzuar për përdhunimin e Gisèle Pelicot me urdhër të bashkëshortit të saj, Dominique Pelicot, 72 vjeç, i cili e drogoi atë për një dekadë me pilula gjumi me recetë.
Javën e ardhshme ata pritet të dënohen, në përfundim të një gjyqi që filloi në shtator. Nëse shpallen fajtorë, së bashku ata përballen me më shumë se 600 vjet burg, raporton BBC.
Shumica prej tyre vijnë nga qytete dhe fshatra në një rreze prej 50 km fshatit Mazan të Pelicots.
Prokurorët i kanë bazuar kërkesat e tyre për dënim në gjykatë në faktorë rëndues.
Joseph C, 69 vjeç, një trajner sporti në pension, përballet me katër vjet burg për sulm seksual nëse shpallet fajtor. Ky është dënimi më i butë i kërkuar nga prokurorët.
Në anën tjetër të shkallës së dënimit është Romain V, 63 vjeç, i cili përballet me 18 vjet burg. Ai ishte me HIV-pozitiv dhe akuzohet për përdhunimin e Gisèle Pelicot në gjashtë raste të veçanta pa pasur mbrojtje – megjithëse avokati i tij i tha gjykatës se ai kishte trajtim për disa vite dhe nuk mund ta kishte transmetuar virusin
Prokurorët kanë qenë në gjendje të hyjnë në këtë nivel detajesh, sepse, në mënyrë të pazakontë për një gjyq për përdhunim, ka një sasi marramendëse provash, pasi sulmet e supozuara u filmuan gjatë pothuajse një dekade nga Dominique Pelicot.
Ai ka pranuar të gjitha akuzat ndaj tij dhe i ka thënë gjykatës që të gjithë 50 të bashkakuzuarit e tij janë gjithashtu fajtorë.
Të gjitha provat video tregojnë se asnjë nga burrat nuk ka qenë në gjendje të mohojë se ka shkuar ndonjëherë në shtëpinë e Pelicots. Por shumica kundërshton me forcë akuzat për përdhunim të rëndë që do të shkaktonte dënime të rënda.
Ligji i Francës për përdhunimin e përkufizon përdhunimin si çdo akt seksual të kryer nga “dhuna, shtrëngimi, kërcënimi ose befasia”; nuk ka asnjë referencë për ndonjë nevojë për pëlqim.