Gazmond Haxhifejzullahi, bashkëshorti i kandidates për deputete të Lëvizjes Vetëvendosje, Edona Llalloshi, po mbahet në paraburgim si i dyshuar për dhunë në familje. Haxhifejzullahi është denoncuar për dhunë në familje muajin e kaluar, ka mësuar Paparaci nga burime brenda organeve të rendit.
Bashkëshorti i këngëtares, e cila aderoi në Lëvizjen Vetëvendosje të mërkurën, është denoncuar për dhunë në familje. Konflikti mes çiftit dyshohet se ka nisur për shkak të një prone që pretendohet se i takon kandidates për deputete. Rasti është konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Lidhur me çështjen për të cilën keni kërkuar informata, ju njoftojmë se rasti të cilit i referoheni është në fazën e hetimeve nga ana e prokurorit të çështjes dhe ndaj të njëjtit është parashtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit, kurse më shumë informata lidhur me këtë rast nuk mund të jepen”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë për Paparacin.
Ndërkaq, sipas burimeve të Paparacit, Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji Haxhifejzullahit.