Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi i kërkuar Kryeparlamentares Elisa Spiropali, zbatimin e opinionit të Komisionit të Venecias lidhur me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
“Opinioni këshillimor i Komisionit të Venecias arrin vetëm në një konkluzion/këshillë: Detyrimin e Kuvendit që të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si element bazë i shtetit të së drejtës. Ashtu siç qartësisht Komisioni i Venecias është shprehur, në rastin e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi nuk po detyrohet që të votojë në një mënyrë të caktuar, por po përmbush vetëm përgjegjësinë e tij për të respektuar Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, shkruan Bardhi në letrën drejtuar Kuvendit.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike e quan qëndrim personal atë të Kryetares së Kuvendit dhe të mazhorancës socialiste pas publikimit të Opinionit të Komisionit të Venecias, për të cilat thonë se është jo vetëm i papranueshëm, por jashtë çdo logjike njerëzore dhe politike.
“Ju po sajoni/deformoni qëndrime që nuk gjejnë asnjë mbështetje, në asnjë fjali dhe në asnjë paragraf të Opinionit të Komisionit të Venecias. Ju po bëni interpretimin sipas asaj që ju do të dëshironit të shprehej Komisioni i Venecias dhe jo sipas asaj që është shprehur qartësisht Komisioni i Venecias. Ju nuk po i përmbaheni zotimit tuaj publik që do të vepronit sipas Opinionit të Komisionit të Venecias dhe do ta zbatonit atë. Ju po tregoni se investuat kot Komisionin e Venecias dhe nuk po e respektoni autoritetin e tij. Ju po jepni shembullin e paprecedent në një vend demokratik, që nëse nuk pëlqehen vendimet e gjykatave atëherë ato mund të mos zbatohen.” – thuhet në shkresën e kreut të grupit demokrat.