Udhëheqësit në Evropë kanë paralajmëruar vazhdimisht se agresioni i presidentit rus Vladimir Putin nuk do të ndalet vetëm në Ukrainë, ndërkohë një hartë e publikuar nga Newsweek tregon pikat e mundshme të nxehta nëse Moska do ta çonte më tej luftën e saj në kontinent
Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius ka paralajmëruar në një intervistë në qershor se Putini “mund të sulmojë edhe një vend të NATO-s”. Ai ka deklaruar në Budestag se “ne duhet të jemi gati për luftë deri në vitin 2029”
Në nëntor, kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Gjermanisë, Bruno Kahl, i bëri jehonë pikëpamjejes se Moska po “përgatitet për një luftë me Perëndimin”.
Rusia e ka cilësuar tashmë luftën e saj me Ukrainën si një luftë ndërmjetëse midis Moskës dhe NATO-s; megjithatë, sipas nenit 5 të kartës së NATO-s, është vetëm një goditje ndaj një anëtari që do të shkaktonte një përgjigje kolektive.
“Ka pak dyshime se Putini do të vazhdojë të ndjekë në mënyrë agresive interesat e tij në Evropë, dhe në Evropën Lindore në veçanti”, tha për Newsweek William Muck, profesor i shkencave politike në Kolegjin North Central.
Si Berlini, ashtu edhe krahu lindor i NATO-s dhe anëtarët e saj të rinj, janë më të shqetësuarit rreth ambicieve perandorake të Putinit përtej Ukrainës.
Ministri suedez i Mbrojtjes Civile Carl-Oskar Bohlin tha se “lufta mund të vijë në Suedi”. Në të njëjtën ditë, komandanti i përgjithshëm i vendit, Micael Bydén, paralajmëroi suedezët që të “përgatiten mendërisht” për konflikt.
Siç tregon një hartë e Newsweek, krahu verilindor i NATO-s, i cili përfshin kufirin 830 milje të gjatë të Finlandës fqinje, mund të jetë një front i mundshëm. Vendi nordik që iu bashkua aleancës në vitin 2023 ka akuzuar Moskën për nxitjen e një krize migrantësh në kufirin e saj.
Gjeneral-lejtnant Jürgen-Joachim von Sandrart, ish-kreu i Korpusit Shumëkombësh Verilindor të NATO-s, tha se Moska kishte “shumë opsione” për të testuar kohezionin e aleancës, duke përfshirë “rrëmbimet e kufizuara të tokës”.
“Ndërsa mendojmë për pikat e mundshme të së ardhmes, shtetet baltike qëndrojnë si një rast specifik për testimin e fuqisë parandaluese të NATO-s”, tha Muck. Sipas tij, Estonia, Letonia dhe Lituania kanë popullsi të madhe ruse, një faktor motivues për ndërhyrjen e Putinit.
Në shkurt, shërbimi i inteligjencës së jashtme të Estonisë tha se NATO “mund të përballet me një ushtri masive të stilit sovjetik në dekadën e ardhshme” nëse Moska reformon ushtrinë e saj. Ndërkohë, në Lituaninë fqinje u vendosën piramida betoni antitank të njohura si “dhëmbët e dragoit”.
Vendndodhja e tyre pranë enklavës ruse të Kaliningradit është strategjikisht e rëndësishme si një vijë e përparme e mundshme në çdo konflikt midis Moskës dhe aleancës.
Siç tregohet në hartë, korridori Suwalki, i njohur gjithashtu si Hendeku Suwalki, mund të jetë pika e parë e kontaktit për çdo lëvizje të Moskës në NATO, sepse ndan enklavën ruse të Kaliningradit në Detin Baltik nga Bjellorusia.
Të ndjeshme ndaj kërcënimeve, Estonia dhe Letonia, të cilat ndajnë një kufi me Rusinë, nënshkruan një marrëveshje me Lituaninë në janar për të forcuar kufijtë tokësorë me Rusinë dhe Bjellorusinë si pjesë e Linjës së Mbrojtjes Baltike.
Menjëherë pas fillimit të luftës në Ukrainë, komandanti rus Rustam Minnekaev tha në prill 2022 se Moska dëshironte të krijonte një korridor përmes Ukrainës jugore për në Transnistria. Ai ngriti dyshime se si enklava separatiste, e cila pret një prani ushtarake ruse, mund të përshtatet në planet e Putinit