Ligji për buxhetin e vitit 2025 në vlerë 3.6 miliardë euro vlerësohet të jetë më shumë për mbijetesë sesa për zhvillim të qëndrueshëm. Sipas njohësve të ekonomisë ky buxhet nuk pritet të reflektojë në mirëqenien e qytetarëve.
Nga 3.6 miliardë euro, 916.5 milionë euro planifikohet të shkojnë për paga dhe shtesa, ndërsa vetëm pak më shumë, 931 milionë euro, parashihen për shpenzime kapitale. Kështu mbi gjysma e buxhetit shkon për këto dy kategori. Derisa për kategorinë subvencione dhe transfere janë paraparë mbi 1.1 miliard euro. Për mallra dhe shërbime pritet të shpenzohen 535 milionë euro. Ndërkaq, totali i fondeve për skemat pensionale arrin në rreth 500 milionë euro, me rritjen që pritet të jetë 100 milionë euro shtesë (20 për qind rritje për skemat pensionale të moshës).
Përveç kësaj me ligjin për buxhetin 2025 që është publikuar më 12 dhjetor në Gazetën Zyrtare pas miratimit në dy leximet në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht në nenin 33 vendoset për të gjithë të punësuarit në sektorin publik rritje të pagave për 55 euro nga janari, dhe për 55 euro tjera nga muaji korrik i vitit të ardhshëm.
Rritje të buxhetit për vitin e ardhshëm, do të kenë edhe disa nga institucionet qendrore të vendit, përfshirë ato në sektorin e mbrojtjes e sigurisë, shëndetësisë dhe infrastrukturës rrugore.
E për sigurinë e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes e udhëhequr nga Ejup Maqedonci do të shpenzojë më 2025 gati 208 milionë euro. Ndërsa për vitin 2024 ishin ndarë për këtë ministri gjithsej 153 milionë euro. Ministria e Punëve të Brendshme e drejtuar nga ministri Xhelal Sveçla do të ketë buxhet rreth 227 milionë euro.