Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka zhvilluar sot një takim në Fier me strukturat drejtuese të partisë në këtë Qark. Mes të tjerash Blushi u ndal tek zv.kryeministrja Belinda Balluku, për të cilën tha se shkon në Fier vetëm për të blerë votat e fierakëve.
Sipas Blushit, Balluku duhet të ishte tashmë para ligjit në lidhje me rrugën e shembur Korçë-Ersekë, ndërsa shtoi se tuneli i Llogarasë është afera më e freskët për të cilën janë paguar 50 milionë euro bakshish.
“Belinda Balluku vjen në Fier si e dërguara e Edi Ramës për të blerë votat e fierakëve. Një nënë, një grua që ju prin bandave të Edi Ramës, më vjen keq ta them por nuk e meriton këtë fjalë, sepse është kjo Ministre që në radhë të parë mban përgjegjësi jo vetëm politike, por edhe penale për vjedhjet e përbindshme që sot e kësaj dite po ndodhin me taksat tuaja. Mjafton vetëm tuneli i Llogarasë, afera më e freskët për të cilën janë paguar 50 milionë Euro bakshish, e denoncuar kjo nga ish- krahu i djathtë i Edi Ramës për ekonominë, Arben Ahmetaj. Mjafton rruga e shembur Korçë-Ersekë, për të cilën sot e kësaj dite nuk ka nisur një hetim që kjo zonje të ishte sot para ligjit dhe jo duke kërkuar vota në Qarkun e Fierit”, tha ai.