KFOR ka demantuar Lulzim Hetemin, kryetar në komunën e Leposaviqit, për pohimet e tij se KFOR ka “listë të zezë” që u ndalon hyrjen qeveritarëve.
KFOR thotë se kjo deklaratë është e pabazuar dhe mund të krijojë tensione të panevojshme.
KFOR i kundërshton me vendosmëri këto pretendime.
“Në përgjigje të pretendimeve që qarkullojnë në media se KFOR-i ka “lista të zeza” që ndalon hyrjen e zyrtarëve të institucioneve në Kosovë në Komunën e Leposaviqit, KFOR-i deklaron se këto pretendime janë të pabazuara; dhe i kundërshton me vendosmëri këto pretendime.
KFOR-i kërkon që të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione të panevojshme dhe të ndikojnë negativisht në stabilitetin rajonal.
KFOR-i nuk ndërhyn në lirinë e lëvizjes së individëve nëpër Kosovë. KFOR-i gjithashtu mban komunikime të rregullta me të gjithë homologët e tij kryesorë.
KFOR-i mban standardet më të larta të transparencës në komunikimin e aktiviteteve të tij, përmes kanaleve të tij zyrtare të komunikimit në dispozicion të publikut”, thuhet ndër të tjera në reagimin e KFOR.
Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, në debatin “Jeta në Komunë” në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për një “listë të zezë” të KFOR-it dhe ndalesën e qeveritarëve për të hyrë në Leposaviq.
Sipas tij, në këtë “listë të zezë” hyjnë nga Radomiroviqi, Krasniqi e kështu më radhë të gjithë ministrat.“Ka vazhduar i njëjti avaz kështu që dikur ma ndaluan komplet Qeverinë kur erdhën amerikanët ma qitën me letra, me fotografi. Iu thash a jeni bre në veti a jeni normal? Qysh funksionon kryetari pa një qeveri komplet që e keni shti në listë të zezë? Të gjithë, ma s’pari Radoica, zëvendësministrin Arbër Vokrri, Elberti e rend. Pos kryeministri edhe shefja e shtetit nuk kanë qenë në këtë ‘listë të zezë’”- potencoi Hetemi.