Lavrovi e përmend Kosovën në përpjekjen për t’i legjitimuar qëndrimet kundër Perëndimit

by Nexhat

Më 6 dhjetor 2024, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, në një intervistë të dhënë për gazetarin amerikan Tucker Carlson, pjesë të së cilës u publikuan nga agjenci shtetërore ruse, hodhi akuza të ashpra ndaj SHBA-së lidhur me zgjedhjet në Gjeorgji. Sipas Lavrovit, SHBA-ja po injoron raportin pozitiv të OSBE-së për procesin zgjedhor në Gjeorgji, sepse nuk i pëlqejnë rezultatet. Në përpjekjen për t’i legjitimuar qëndrimet anti-perëndimore dhe për të kontestuar rolin e SHBA-së, Lavrovi e ka përmendur edhe Kosovën.

Agjencia Shtetërore Ruse Tass ka publikuar artikullin me titull: “Lavrov – SHBA-së nuk i pëlqejnë rezultatet e zgjedhjeve gjeorgjiane, prandaj e injoron raportin e OSBE-së ”. Aty, ministri rus, brenda një fjalie, e përfshin Kosovën dhe Gjeorgjinë.

banner

“Kur OSBE-ja monitoronte zgjedhjet, kur ajo monitoronte zgjedhjet në Rusi, ata gjithmonë ishin shumë negativë, ashtu si dhe në vende të tjera, Bjellorusi, Kazakistan. Këtë herë, në Gjeorgji, misioni i monitorimit i OSBE-së paraqiti një raport pozitiv. Dhe po injorohet. Pra, kur keni nevojë për miratimin e procedurave, e bëni atë kur ju pëlqejnë rezultatet e zgjedhjeve. Nëse nuk ju pëlqejnë rezultatet e zgjedhjeve, e injoroni. Është njësoj sikurse Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kur e njohën shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, që thanë se kjo që po zbatohet është vetëvendosje”, ka thënë Lavrovi.

Përveç Tassit, intervistën e plotë e ka publikuar edhe Ministria e Jashtme e Rusisë.

Përmendja e Kosovës në këtë kontekst nuk ka si qëllim një analizë objektive të situatës, por synon të minojë legjitimitetin e SHBA-së si akter kryesor në politikën globale dhe të delegjitimojë mbështetjen për Kosovën.

Rusia përdor çështjen e Kosovës për të ndërtuar një narrativë sipas së cilës ndërhyrjet e SHBA-së, përfshirë njohjen e pavarësisë së Kosovës, kanë krijuar precedentë që destabilizojnë rendin ndërkombëtar.

Lavrovi spekuloi edhe me qëndrimin amerikan lidhur me zgjedhjet në Gjeorgji. Sekretari i Shtetit, Antony J. Blinken, përmes një deklarate, ka përmendur vlerësimin pozitiv që kanë dhënë vëzhguesit ndërkombëtarë, tek shtoi se kanë vërejtur “parregullsi dhe dhunë sporadike”. “Ne e dënojmë çdo shkelje të normave ndërkombëtare dhe bashkohemi me thirrjet e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendas për një hetim të plotë të të gjitha raporteve për shkelje të lidhura me zgjedhjet”, thuhet në deklaratën e Blinkenit. Edhe Misioni Ndërkombëtar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve ka konstatuar parregullsi të shumta në zgjedhjet e 26 tetorit në Gjeorgji.

Intervista e fundit e Lavrovit është vazhdimësi e deklaratave të zyrtarëve rusë, të cilët ngrenë pretendime të paqena kundër Kosovës sa herë u jepet rasti në konferenca apo intervista për media të huaja.  Qëndrimin kundër Kosovës, Rusia e përdor si një element të politikës së saj për ta sfiduar Perëndimin dhe për t’i promovuar interesat e vet strategjikë në vendet fqinje, në këtë rast në Gjeorgji

Më 20 shtator 2024, Lavrovi pati deklaruar se pavarësia e Kosovës u shpall pa asnjë referendum. Të njëjtën ditë ishte deklaruar edhe zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, duke e quajtur pavarësinë e Kosovës “të rreme”.

Vitin e kaluar, në Shkup, u mbajt takimi i OSBE-së, i cili mblodhi ministrat e Punëve të Jashtme të 57 anëtarëve të kësaj organizate, me seli në Vjenë. Aty mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ku sërish e shfrytëzoi rastin për ta akuzuar BE-në, NATO-n e OSBE-në, se kinse ushtruan agresion ndaj një vendi të pavarur në vitin 1999, kur vendosën ta bombardojnë Serbinë. Ai përsëriti narrativën konstante se “Kosova iu mor me dhunë Serbisë”, tek arsyetoi luftën e Rusisë në Ukrainë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, më 30 shtator 2022, i pati shpallur territore ruse katër rajone të Ukrainës.  Ai pati tërhequr paralele mes Kosovës dhe rajoneve të aneksuara. Madje, në vitin 2022, Ministria e Jashtme e Rusisë i është referuar specifikisht vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për Kosovën, për të justifikuar se deklarata e pavarësisë së rajoneve të Ukrainës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, ata tentojnë ta barazojnë pavarësinë e Kosovës me aktet e ndërhyrjes ruse në rajonet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Rusia bën pjesë në mesin e akterëve të jashtëm malinjë që ka për synim nxitjen e tensioneve edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e paraqitur Kosovën dhe shumicën shqiptare si armiqësore ndaj serbëve.

Lidhur me rreziqet që u kanosen Kosovës dhe rajonit nga akterët e huaj, ka komentuar së fundi edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Më 10 dhjetor 2024, në konferencën për integritetin e informacionit DISICON, organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), ai tha se: “ka akterë të huaj që duan ta minojnë demokracinë e Kosovës, duke shfrytëzuar përçarjet etnikeNuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë”, ka thënë Hovenier

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy