Neymar Junior është ankuar për trajtimin, sipas tij, jo të mirë nga tifozët e Paris Saint-Germainit.
Mbi të gjitha, ylli brazilian thotë se ai ndjeu mungesë respekti në Paris në dy vitet e fundit, që kur u bë bashkë treshja Neymar – Messi – Mbappe.
Përfaqësuesi brazilian u largua nga kryeqyteti francez në verën e vitit 2023 për ta vazhduar karrierën në Arabinë Saudite, ndonëse lëndimet nuk po e lënë rehat që prej transferimit atje.
“Dy a tre vjetët e fundit nuk ishin të njëjtë. Ishte e pabesueshme se si po më trajtonin, njëjtë si mua edhe Lionel Messin”, deklaroi ish-futbollisti i Santosit dhe Barcelonës për mediumin francez “RMC Sport”,
“Për mua, ishte e padrejtë, sepse gjithmonë kam dhënë gjithçka në fushë.”
“Nuk mbaj inat, por isha paksa i pikëlluar për mënyrën se si më trajtuan tifozët, posaçërisht kur më erdhën në shtëpi dhe donin të futeshin në shtëpi, të më fyenin, ose të më godisnin.”
Rënia e formës së brazilianit kishte bërë që tifozët e PSG-së të frustroheshin dhe ta kërkonin largimin e tij nga “Parku i Princave”, madje duke e kërcënuar dhe duke i shkuar disa sosh përpara shtëpisë ku po qëndronte në Paris.