Ukraina thotë se ushtarë të Koresë së Veriut janë vrarë gjatë luftimeve në Kursk

by Nexhat

Agjencia e zbulimit e ushtrisë së Ukrainës tha të hënën se rreth 30 ushtarë të Koresë së Veriut u vranë ose u plagosën në luftimet me ushtrinë ukrainase në fundjavë në rajonin kufitar rus të Kurskut.

Ushtarët e Koresë së Veriut u vranë gjatë luftimeve rreth tre fshatrave në Kursk, ku Rusia po përpiqet t’i japë fund inkursionit ukrainas, që filloi katër muaj më parë, tha agjencia ukrainase e zbulimit ushtarak në një postim në aplikacionin Telegram.

banner

Të paktën tre ushtarakë të Koresë së Veriut u zhdukën rreth një fshati tjetër të Kurskut, thuhet në postimin e agjencisë ukrainase të zbulimit ushtarak.

Ndonëse pretendimet e Ukrainës nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur, ky është njoftimi i parë për viktima në mesin e ushtarëve të Koresë së Veriut në luftën pothuajse 3-vjeçare mes Ukrainës dhe Rusisë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se për këtë çështje duhet të pyetet Ministria ruse e Mbrojtjes, e cila nuk pranoi të komentonte.

Sipas Pentagonit dhe zyrtarëve ukrainas, Koreja e Veriut ka dërguar rreth 10,000 trupa në Rusi për ta ndihmuar atë në luftën në Ukrainë.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka premtuar mbështetje të palëkundur për luftën e Rusisë në Ukrainë, bazuar në një marrëveshje të mbrojtjes reciproke.

Analistët ushtarakë thonë se pengesat gjuhësore kanë dëmtuar koordinimin në fushën e betejës mes trupave ruse dhe atyre koreano-veriore.

“Integrimi i dobët dhe problemet e vazhdueshme të komunikimit midis forcave ruse dhe atyre koreano-veriore ka të ngjarë të vazhdojnë të shkaktojnë fërkime në operacionet ushtarake ruse në Kursk në aspektin afatshkurtër”, tha të dielën Instituti për Studimin e Luftës, me seli në Uashington.

Zyrtarët ukrainas thanë se më 5 nëntor forcat e tyre ishin angazhuar për herë të parë me njësitë e Koresë së Veriut, të dislokuara së fundmi për të ndihmuar Rusinë.

Ukraina mori nën kontroll disa zona kufitare në rajonin rus të Kurskut gushtin e kaluar. Kjo është hera e parë që një territor rus pushtohet nga forcat e një vendi tjetër pas Luftës së Dytë Botërore. Operacioni ukrainas e turpëroi Kremlinin dhe synonte t’i kundërvihej njoftimeve të zymta nga vija e frontit në Ukrainë

Inkursioni nuk e ka ndryshuar ndjeshëm dinamikën e luftës. Gjatë vitit të kaluar, Rusia ka patur një avantazh, me përjashtim të Kurskut dhe ka hyrë më thellë në rajonin e Donetskut në Ukrainën lindore, pavarësisht humbjeve të mëdha. /VOA

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy