Babai dhe njerka e një vajze 10-vjeçare të abuzuar rëndë, të gjetur të vdekur në shtëpinë e saj në Angli, u dënuan të martën me burgim të përjetshëm për vrasje, raporton AP,
Urfan Sharif – 42 vjeç dhe Beinash Batool – 30 vjeç, u dënuan për vrasje javën e kaluar në vdekjen e saj në atë që prokurorët e quajtën një “fushatë abuzimi”.
Xhaxhai i vajzës, Faisal Malik, 29 vjeç, u shpall fajtor për shkaktimin ose lejimin e vdekjes së vajzës. Ai u dënua me 16 vjet burg.
Pasi vajza vdiq, të tre ikën në Pakistan, ku Urfan Sharif telefonoi policinë e Mbretërisë së Bashkuar për të thënë se ai “e dënoi ligjërisht dhe ajo vdiq”, thanë prokurorët. Ai tha se “e rrahu shumë” por nuk kishte ndërmend ta vriste.
Policia në Londër më pas shkoi në shtëpinë e familjes dhe zbuloi trupin e Sarës nën një batanije në një krevat marinari më 10 gusht 2023.
Të tre më vonë u kthyen në Britani më shumë se një muaj pasi u larguan dhe u arrestuan me dyshimin për vrasje.
Gjyqi në Gjykatën Qendrore Penale ekspozoi detaje të tmerrshme të abuzimit që përfshinin më shumë se 70 plagë të freskëta dhe shumë të vjetra, duke përfshirë mavijosje, djegie, fraktura dhe shenja kafshimi dhe ka ngritur pikëpyetje rreth dështimeve të shërbimeve sociale dhe autoriteteve për të ndërhyrë dhe mbrojtur atë.
“Vdekja e Sarës ishte kulmi i viteve të neglizhencës, sulmeve të shpeshta dhe asaj që mund të përshkruhet vetëm si torturë”, tha gjykatësi John Cavanagh. “Shkalla e mizorisë është pothuajse e paimagjinueshme. … Asnjëri prej jush nuk ka treguar asnjë grimë pendimi të vërtetë”.