Disa mediume të kontrolluara nga Aleksandar Vuçiq kanë shfrytëzuar emrat e disa profesorëve serbë të Universitetit ilegal të Mitrovicës për të shtrirë propagandën për Kosovë. Ata kanë falsifikuar deklarata me pretendimet se po të njëjtit profesorë kanë tërhequr emrat dhe nënshkrimet e tyre nga peticioni në mbështetje të protestave në Serbi. Emri dhe një deklaratë e rreme iu përmend edhe profesorit Svetomir Milojeviq. Ky i fundit thotë se kurrë s’ka folur për asnjë medium rreth protestës. Madje ai thotë se vazhdon përkrahjen e rinisë në Serbi dhe se nuk tërhiqet nga mbështetja e atyre protestave. Paralajmëron padi për disa mediume.
Disa profesorë të Universitetit ilegal të Mitrovicës ranë pre e mediave pro Vuçiq në Serbi. Emrat e tyre u përdorën në një lajm propagandues në gazetat Alo dhe Novosti, që kontrollohen nga presidenti serb Aleksandar Vuciq.
Lajmi i rremë për ta kishte të bënte me protestën që po mbahet tash e sa kohë nga studentët e mbi 40 fakulteteve në Serbi.
Dy mediumet propaganduan se këta profesorë të Universitetit të Mitrovicës tërhoqën emrin e tyre nga peticioni në mbështetje të protestave në Serbi.
Madje portali Republika ka ndërtuar edhe një deklaratë të njërit nga profesorët për të cilët pretendon se ka larguar nënshkrimin nga ai peticion.
Fjala është për profesorin e Fakultetit të Shkencave Teknike në Mitrovicë, Svetomir Milojeviq për të cilin mediumet pri Vuçiq pretendojnë se është mashtruar dhe nënshkrimet e tyre janë vënë në lista pa dijeninë e tyre se cka po nënshkruajnë.
“Unë e tërhoqa nënshkrimin tim. Më kanë keqpërdorur, sepse më kanë thënë se është e gjitha e organizuar pa politikë dhe kur kam kuptuar se politika është e përfshirë në çdo gjë, kam tërhequr nënshkrimin tim”, citohet të ketë thënë Milojeviq.
Por gënjeshtra e mediumeve propaganduese doli menjëherë pasi vet profesori reagoi.
Në një reagim të publikuar në Kossev, profesori Milojeviq thotë se gjithçka që është shkruar për të në mediat serbe, është e sajuar.
“Ajo që ka dalë në gazetat ‘ALO’ dhe ‘Novosti’ është lajm i sajuar që më shqetëson mua personalisht. Nuk kam bërë asnjë deklaratë, as për ju, as për ndonjë media tjetër, deri në këtë bisedë me ju sonte, as nuk do të kisha thënë diçka të tillë. Unë absolutisht qëndroj pas nënshkrimit tim publik në peticion, pra mbështetje për studentët dhe kolegët në universitetet shtetërore në Serbi. Gjithçka tjetër është gënjeshtër”, tha ai për Kossev.
Për me tepër ky profesori thotë se është duke u përgatitur për padi ndaj këtyre mediumeve që kanë shpifur për të.
“Nuk e kam tërhequr nënshkrimin, nuk e tërheq mbështetjen për rininë, dijen dhe të ardhmen, do t’i padis “Alo-n” dhe “Novosti-n”, tha ai