Dhomat e Specializuara të Kosovës, (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për nga dy muaj të tjerë ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilët akuzohen së bashku me Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin për krime lufte.
Në dy vendimet e 13 dhjetorit 2024, thuhet se paneli ka arritur në përfundim se nuk ka informacione të mjaftueshme që e justifikojnë dyshimet se Thaçi dhe Veseli mund të arratisen. Megjithatë, sipas tyre, ekziston rreziku se ata mund të pengojnë procedurat si dhe të kryejnë krime të tjera kundër atyre që konsiderohen si kundërshtarë të UÇK-së ose edhe ndaj dëshmitarëve
Sipas vendimit, ZPS-ja kishte argumentuar se asnjë nga rreziqet nuk mund të menaxhohen më mirë sesa në objektin e paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ata kanë parashtruar se sjellja e Veselit përbën rrezik sa që edhe kufizimet dhe monitorimi i komunikimeve në objektin e paraburgimit nuk mjaftojnë për t’i adresuar ato. Njëjtë thuhet edhe në vendimin për Thaçin.
“Me referencë në gjetjen e mëparshme të Panelit, ZPS argumenton se ndalimi i Z. Veseli mbetet proporcional dhe i arsyeshëm, veçanërisht në dritën e përparimit të procedurave”, thuhet në vendimin për Veselin, e njësoj përshkruhet edhe në atë për Thaçin.
Si rrjedhojë, edhe paneli ka arritur në përfundim se vazhdimi i masës së paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë ndaj Thaçit dhe Veselit është i arsyeshëm.
“Në dritën e zhvillimeve të mësipërme, si dhe faktit se ende ekzistojnë rreziqe për pengimin e procedurave dhe kryerjen e krimeve të tjera, të cilat nuk mund të menaxhohen mjaftueshëm me masat alternative të arsyeshme, Paneli arrin në përfundimin se ndalimi i Z. Veseli për një periudhë të mëtejshme dy mujore është i nevojshëm dhe i arsyeshëm në rrethana të veçanta të rastit”, thuhet në vendimin për Veselin, ashtu sikurse edhe për Thaçin.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020