Pesë vjetori i SPAK-ut në Tiranë, Kasanof: Të sigurohet vazhdimësia e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar

by Nexhat

Ndërsa Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Korrupsionit SPAK shënoi sot 5 vjet nga nisja e veprimtarisë, diplomatë të lartë amerikanë theksuan sot mbështetjen e plotë të SHBA-ve ndaj këtij institucioni të ri dhe bënë thirrje që prokurorëve të posaçëm t’u mundësohet, pas mbarimit të mandatit nëntë vjeçar, riaplikimi për të shërbyer përsëri në këtë fushë të vështirë.

Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Alexander Kasanof, mori pjesë sot në tubimin ceremonial të pesë vjetorit të SPAK-ut në Tiranë, ku deklaroi se “ky është institucioni publik më i besueshëm në Shqipëri”, që po bën “përpjekjen më të suksesshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në historinë shqiptare”, ndaj duhet siguruar vazhdimësia e kësaj lufte pa ndërprerje e për këtë prokurorët e SPAK-ut duhet të lejohen të aplikojnë për të shërbyer sërish pas përfundimit të mandatit të tyre aktual. Ai tha se “dështimi për të realizuar këtë, rrezikon të ndërpresë këtë luftë si dhe rrezikon humbjen e profesionistëve më me përvojë në këtë fushë”.

banner

Drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, u shpall disa ditë më parë nga SHBA-të kampion për luftën ndaj korrupsionit. Ai më herët u ka kërkar institucioneve që të vlerësojnë mundësinë e rikandidimit të prokurorëve të posaçëm për një mandat tjetër në mënyrë që të vazhdojnë punën e tyre kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa Kushtetuta parashikon që mandati i tyre është nëntë vjet dhe pa të drejtë rizgjedhjeje, ndaj që të mundësohet riaplikimi nevojiten ndryshime kushtetuese nga Kuvendi.

Zëvendës-ndihmës Sekretari Kasanof tha se guximi dhe vullneti për të luftuar krimin dhe korrupsionin me energji të qëndrueshme janë sot po aq të rëndësishme sa në fillim të reformës në sistemin e drejtësisë, ndërsa këto rezultate janë thelbësore për rrugëtimin e Shqipërisë drejtë anëtarësimit në BE.

“Arrestimet, procedimet penale dhe dënimet tuaja të jashtëzakonshme sikurse i keni parë këtu nga zoti Dumani, bënë që ata që dikur ishin të paprekshëm, të flasin shumë. Puna juaj frymëzon besimin se prova do të ndiqet brenda kornizës së ligjit pavarësisht se ku, pavarësisht se drejt kujt çojnë hetimet. Asnjë nuk është mbi ligjin”, tha zoti Kasanof.

Ai theksoi se pavarësia e SPAK-ut mbetet vendimtare, por ai nuk mund të zgjidhë i vetëm gjithë problemet e vendit, ndaj edhe institucionet e tjera duhet të tregojnë guxim, të ndërtojnë besimin e publikut dhe të veprojnë me integritet, sepse lufta kundër korrupsionit është detyrë për të gjithë. /VOA

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy