Vlora vijon të mbetet një qytet ku hakmarrjet e bandave kriminale nuk njohin fund. I tillë dyshohet të ishte edhe atentati i mbrëmjes së të mërkurës në lagjen 24 maji të qytetit, ku në drejtim të mjetit që drejtohej nga 30-vjeçari Kevin Hajrulla janë derdhur një breshëri e tërë plumbash automatiku, duke e plagosur rëndë.
Nga breshëria e plumbave është plagosur aksidentalisht edhe një shitës aty pranë, i cili fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa shënjestra e këtij atentati brutal për nga egërsia e të kryerit, ndodhet në gjendje të rëndë dhe pas ndihmës së parë mjekësore që ka marrë në spitalin rajonal të Vlorës është dërguar në spitalin e traumës në Tiranë, për mjekim më të specializuar
Nga të dhënat e para hetimore mësohet se autorët e këtij atentati mund të jenë tre persona, dy ekzekutorë dhe drejtuesi i mjetit, të cilët kanë qëlluar të paktën 80 plumba mbi mjetin e 30-vjeçarit. Pas ngjarjes, autorët janë larguar në drejtim të Fierit, ku pranë fshatit Panaja kanë djegur automjetin së bashku me dy armët e zjarrit tip kallashnikov dhe dy karikatorë
Drejtori i Policisë së Vlorës nga vendi i ngjarjes deklaroi ngritjen e grupit të posaçëm hetimor për këtë ngjarje të rëndë, por pa dhënë detaje të tjera mbi autorët e dyshuar apo të kaluarën e shënjestrës së këtij atentati.
Burimet pranë Policisë së Vlorës janë shprehur se i plagosuri Kevin Hajrulla nuk është person i skeduar më parë, ndërsa dyshimet janë se ai mund të jetë qëlluar për shkak të së kaluarës konfliktuale dhe implikimit në ngjarje kriminale të familjarëve të tjerë të tij.
Sakaq, forcat RENEA janë rishfaqur në rrugët e Vlorës, skena këto të zakonshme pas çdo atentati