Iniciativa “CorrWatch” ka shprehur shqetësimin e thellë në lidhje me procesin e rekrutimit për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB) pasi që konsideron që ky proces i rekrutimit është karakterizuar më shkelje ligjore.
Sipas një reagimi publik, CorrWatch thotë se ky proces po karakterizohet me shkelje, andaj ka kërkuar monitorim të jashtëzakonshëm.
Tutje, “CorrWatch” thotë se ka identifikuar se është tejkaluar afati për mbajtjen e testit me shkrim.
“Këtë shqetësim, CorrWatch e ka adresuar te AZhB, duke theksuar se tejkalimi i afateve të përcaktuara nga rregullorja paraqet shkelje të procedurave ligjore, të cilat e bëjnë të paligjshëm të gjithë procesin. Prandaj, duke marrë parasysh të gjitha këto, kemi rekomanduar që të shqyrtohet mundësia e anulimit të këtij procesi rekrutimi”, thuhet në njoftimin e tyre.
Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të CorrWatch:
CorrWatch gjatë monitorimit të këtij procesi ka identifikuar se është tejkaluar afati për mbajtjen e testit me shkrim. Rregullorja (QRK) Nr. 05/2024 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores (QRK) Nr. 15/2023 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil, paragrafi 1 i nenit 10A thekson që “Vlerësimi nëpërmjet testimit me shkrim është hapi i parë i procesit të vlerësimit profesional të kandidatëve në kategorinë e lartë drejtuese pas verifikimit paraprak, dhe duhet të realizohet më së largu 15 ditë pas publikimit të listës së kandidatëve që kanë kaluar verifikimin paraprak.” Ndërsa në këtë rast kishin kaluar 28 ditë nga publikimi i rezultateve të verifikimit paraprak deri te mbajtja e testit me shkrim
Këtë shqetësim, CorrWatch e ka adresuar te AZhB, duke theksuar se tejkalimi i afateve të përcaktuara nga rregullorja paraqet shkelje të procedurave ligjore, të cilat e bëjnë të paligjshëm të gjithë procesin. Prandaj, duke marrë parasysh të gjitha këto, kemi rekomanduar që të shqyrtohet mundësia e anulimit të këtij procesi rekrutimi.
Përkundër kësaj, me datë 18 dhjetor 2024, në mbledhjen e 238-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është emëruar njëri prej kandidatëve si Drejtor Ekzekutiv i AZhB-së.
CorrWatch ju bënë thirrje të gjitha institucioneve kompetente të marrin të gjitha veprimet e parapara ligjore. Në të njëjtën kohë kërkojmë nga KPMSHCK që të bëjë monitorim të jashtëzakonshëm të procesit rekrutues, monitorim i cili realizohet në raste të shkeljeve ligjore në shërbimin civil, në mënyrë që të rivendoset ligjshmëria.
Projekti CorrËatch “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës” zbatohet nga Group for Legal and Political Studies, Instituti GAP dhe Institute for Development Policy (INDEP) dhe financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit përmes British Embassy Pristina.
Përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi e vetme e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar.