Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme, ka folur për seancën e sotme të përbashkët mes dy parlamenteve atij të Kosovës dhe Shqipërisë që u zhvillua në kuvendin e Kosovës, duke u shfaqur kritike për fjalimin e kryeministrit Edi Rama.
Gërvalla në deklarimin e saj, tha se sipas saj, fjalimi i Ramës nuk u përshtat me atmosferën që ishte në Kuvend, dhe se sipas saj, kryeministri shqiptar e keqpërdori mikpritjen e Kosovës.
Ajo shtoi se një gjë e tillë sipas saj ‘‘ishte e qartë’’.
‘‘Është e vërtetë që fjalimi i kryeministrit Rama nuk u përshtat aspak me atmosferën që patëm. Ishte fjalim i cili fort e keqpërdori mikpritjen e Kosovës. Ai që vjen të bëjë fushatë, duhet të vijë të bëjë fushatë transparente kundër qeverisë dhe nuk ka nevojë të keqpërdor foltoren e Kuvendit. Ishte e qartë. Ishte jashtëzakonisht e pakëndshme atmosfera ndërkohë që mbahej një fjalim i tillë”, ka thënë Gërvalla në DPT Te Fidani
Përndryshe, gjatë fjalimit të tij në kuvendin e Kosovës, Rama u deklarua për një sërë çështjesh, duke përfshirë këtu situatën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe çështjen e ish-krerëve të UÇK-së që gjinden në Hagë.
Sa i përket raporteve të Kosovës me perëndimin, Rama ndër tjerash ka thënë: ‘‘Ndërkohë që Shqipëria ecë me hapa të shpejt, përfundimisht të pandalshëm për t’u bashkuar me Evropën, paramendoni se sa më krenar, do t’i bënim gjithë shqiptarët anë e mbanë, se çfarë vlere do t’i jepnim emrit të Shqiptarit dhe forcës së shqiptarisë, sikur në kët ë udhëtim të ishim krah për krah me Kosovën, sikur dhe Kosova të shkëlqente njëlloj ndërkombëtarisht, duke hedhur vallen e kësaj kohe drejt shqiptarëve në një ritëm, me pagëzuesit e lirisë dhe me bekuesit e pavarësisë së saj’’.
Ndërsa sa i përket Gjykatës Speciale, Rama ka thënë: ‘‘S’mund të rri dot pa ua thënë vëllazërisht, çudinë time që në këtë sallë s’është marrë një nisëm, të përkrahur nga të gjitha partitë politike, për të shprehur shqetësimin e madh për standardet e atij procesi dhe për të kërkuar një mision verifikimi lidhur me këtë shqetësim. Gjykata është e pavarur, por standardet nuk janë të varura nga gjykatësit. Ndoshta ky shqetësim gjerësisht i përhapur mund të mos qëndrojë, por nëse qëndron kjo është një gjëmë e madhe, jo për ata 4 njerëz të thjeshtë, dhe për Kosovën, por edhe për drejtësinë ndërkombëtare, që kjo sallë ia dha në mirëbesim gjykimin e historisë që lindi Republikën”