Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës ku po mbahet seancë e përbashkët mes dy kuvendeve, tha se dy ditë më parë në samitin me BE-në bashkë me presidenten Osmani kanë këmbëngulur për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.
Ai ato i quajti një “absurditet absolut” dhe tha se në sytë e shteteve europiane barra e fajit në raport me Serbinë duhet t’i bjerë “vetëm Serbisë”.
“Sot janë një absurditet absolut dhe se bashku me presidenten në samitin me BE-në dy ditë më parë, kemi këmbëngulur me forcë që ato masa të hiqen dhe kemi siguruar që të gjitha fondet e BE-së që janë penguar të lëvrohen për shkak të atyre masave të mos digjen. Por, ne duhet të jemi dorë për dore, paqedashës dhe paqeruajtës për të bindur edhe skeptikët më të mëdhenj në BE për absurditetin e rezervave të tyre ndaj njohjes së Kosovës si shtet sovran. Në sytë e tyre barra e fajit për degradimin e dialogut europian të normalizimit duhet t’i bjerë e gjitha vetëm Serbisë, por kurrsesi s’duhet të lejojmë që qoftë edhe një gram t’i bjerë Kosovës. Ne duam që Kosova të njihet një orë e më parë nga të gjithë ato vende europiane që ngurojnë ta pranojnë realitetin e pakthyeshëm dhe të pandryshueshëm të pavarësisë së saj, përfshirë edhe nga Serbia, të cilën Kosova e ka mundur me luftë këtu e 25 vjet më parë”