Thumbat e Ramës, Kurti e Bislimi flasin mes vete gjatë fjalimit të tij, në fund s’i duartrokasin as ata e as deputetët e VV’së

by Nexhat

Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës ku po mbahet një seancë e përbashkët e dy kuvendeve, të Kosovës dhe Shqipërisë, për të thumbuar kryeministrin Albin Kurti në një çështje që shpesh thumbohet – atë të raporteve me aleatët.

Rama, në fjalimin që zgjati pak më shumë se i të tjerëve, citoi edhe fjalë të ish-presidentit Ibrahim Rugova, për objektivat e anëtarësimit në BE, NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës

banner

Në një mesazh për Kurtin, ai këtu përmendi edhe frazeologjinë “trimi i mirë me shokë shumë”.

Rama tha se këto “fjalë të thjeshta të Rugovës janë gjithçka, që të mos humbet objektivi historik për bashkimin në familjen evropiane dhe për të mos hequr nga mendja shansin historik, shans që shqiptarët mund ta shfrytëzojnë vetëm si trimi i mirë me shokë shumë”.

Kryeministri shqiptar, derisa lavdëroi hapat që vendi i tij po bën drejt BE-së, tha se do të ishte i lumtur sikur Kosova të ishte krah për krah me Shqipërinë në rrugën drejt integrimit dhe sikur Kosova  të shkëlqente njëlloj sikur Shqipëria në arenën ndërkombëtare”.

Më pas Rama tha se pezmatimi i aleatëve me Kosovën po i pengon edhe Shqipërisë në dhënien e ndihmës për Kosovën në arenën ndërkombëtare

“Ne duam ta ndihmojmë Kosovën me të gjitha sa kemi në dorë Kosovën…por mundësitë tona, mos e harroni asnjëherë, as që mund të krahasohen me mundësitë e miqve dhe aleatëve tonë strategjikë dhe pezmatimi i tyre me Kosovën na pengon të bëjmë sa do të donim dhe do të mundim të bënim në këtë kohë kur të gjitha yjet janë rreshtuar në favor të shqiptarëve, të shansit tonë historik si komb shqiptar, për t’u bashkuar përmes dy shteteve tona me Europën”.

Në fund, Rama edhe i kërkoi Kosovës që të bëjë hapa të njëanshëm në përmbushjen e zotimeve të saj.

“S’ka asnjë arsye që Kosova të presë çfarë do të bëjë Serbia, për të bërë pastaj ajo hapat e saj drejt BE-së dhe NATO-s. Kosova e uli në gjunjë Serbinë 25 vjet më parë dhe sot duhet ta lë në bisht Serbinë. E them këtë, jo për t’i dhënë Kosovës një leksion, por një opinion vëllazëror dhe konstruktiv për atë se si mësimet e integrimit në njërin vend, mund t’i vlejnë vendit tjetër që të mos kemi pësime historike kur sot fatin e kemi që të gjithin në duart tona dhe krahët i kemi të shtrirë nga Mitrovica në Konispol”.

Por, gjatë gjithë kësaj kohe derisa Rama po fliste mbi këtë çështje, kryeministri Kurti u pa duke folur me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi.

Bashkë me të, anëtarë të tjerë të kabinetit dhe deputetë të Vetëvendosjes nuk e duartrokitën fjalimin e Ramës në fund.

Por, duartrokitje më të forta, Rama mori nga deputetët opozitarë të Kosovës, sidomos nga ata të PDK-së, të cilët i duartrokitën Ramës edhe kur foli për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy