Berisha me akuza ndaj Ramës për ndalimin e TikTok-ut në Shqipëri

by Nexhat

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë për ndalimin e platformës TikTok për një vit në Shqipëri.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Berisha e ka cilësuar këtë vendim si një akt të pastër censure dhe një përpjekje të kryeministrit Edi Rama për të mbyllur zërin e qytetarëve.

banner

“Edi Rama informoi dje se ka vendosur të bllokojë plotësisht platformën e TikTok-ut. Sipas tij, ishte ky një shkak madhor i vrasjes së nxënësit në shkollë. Mirëpo, kompania e TikTok informoi se, as i ndjeri Martin, as dhe vrasësi i tij nuk kishin llogari në këtë platformë. Çfarë del? Kësaj i thonë njëlloj sikur, për të mos patur aksidente, të ndalojmë përdorimin e makinave, apo të ndalojmë përdorimin e rrugëve dhe këto janë absurditete, u shpreh Berisha.

Ai akuzoi kryeministrin se vendimi për ndalimin e TikTok-ut lidhet me mungesën e kontrollit mbi këtë platformë dhe me frikën nga kritikat e qytetarëve, sidomos në prag të zgjedhjeve.

“E vërteta është se Edi Rama vendosi ndalimin e platformës së TikTok-ut vetëm e vetëm se aksionet e tij në mediat sociale kanë rënë përtokë, siç dëshmojnë të gjitha sondazhet. Së dyti, ai nuk i blen dot këto platforma, siç blen media tjera në Shqipëri. Dhe së fundmi, jemi në prag të zgjedhjeve dhe nuk toleron dot negativitetet e pasqyruara nga qytetarët në këto platforma,” theksoi ai.

Berisha i bëri thirrje qytetarëve të reagojnë ndaj këtij vendimi.

“Platforma e TikTok-ut do të hapet menjëherë pas zgjedhjeve. Ju ftoj, të dashur miq, të postoni në llogaritë tuaja të TikTok, por edhe në rrjetet tjera sociale, statuse në mbrojtje të kësaj platforme dhe në dënim të censorit ekstrem, narkodiktatorit Edi Rama”, shkroi Berisha

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy