Qeveria e Kosovës ka vendosur t’ua ndajë nga 100 euro shtesë për fundvit të gjithë pensionistëve dhe fëmijëve deri në 16 vjeç.
Kështu bëri të ditur sot (e diel) kryeministri Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Hekuran Murati
“Të gjithë ju që jeni të moshës nga 0 deri në 16 vjeç, dhe që jeni pranues të shtesave mujore për fëmijë, do t’i përfitoni edhe sivjet nga 100 euro secili”, tha Kurti
Murati nuk tregoi se kur do të mund ta marrin saktësisht këtë pagesë pensionistët dhe fëmijët, por tha se gjatë javës së ardhmes do të punohet për ekzekutimin e tyre.
E pas bërjes publike të këtij vendimi, nuk kanë munguar reagimet e partisë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës
Ky subjekt në një njoftim të lëshuar ka thënë se kjo është një lëmoshë që nuk mjafton as për ta paguar rrymën këtë dimër.
“Vizion në javën e parë të mandatit, apo panikë në muajt e fundit? Ky pra është dallimi. Sepse LDK e ka programin dhe zotimin e qartë: koeficient të pagave 150 euro – që do të thotë rritje mesatare e pagës për 200 euro – për të gjithë shërbyesit publik në javën e parë të mandatit, dhe zgjidhje të qëndrueshme që i përgjigjen vështirësive dhe nevojave të përditshme të qytetarëve. Kjo ka dallim të madh me lëmoshën e dhënë në fund të vitit e cila nuk mjafton as për ta paguar rrymën në këtë dimër”, thuhet në reagimin e LDK-së
LDK ka shtuar se kjo që pamë sot nuk është asgjë më shumë se shenjë e panikës dhe mungesë e vizionit nga një udhëheqësi e dështuar e cila nuk ka implementuar asgjë të qëndrueshme në 4 vite qeverisje.
“Qytetarët janë lodhur nga qeverisja e paaftë, dhe ata po na e tregojnë çdo ditë se ata duan ndryshim, dhe e duan atë menjëherë”, thuhet në reagim.
Edhe deputetja e kësaj partie, Hykemte Bajrami ka reaguar duke e quajtur ndarjen e shtesave “skemë e korrupsionit publik”.
“Shpërndarja e buxhetit të shtetit në kohë fushate është skemë e korrupsionit publik. Qeveria e cila investimet kapitale në vitin 2024 i ka më të ulëta se në vitin 2017 e 2018, e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota
Qeveria e cila gjatë mandatit i ka dyfishuar faturat e energjisë elektrike, e ka dyfishuar tatimin në pronë, i ka poshtëruar shërbyesit civilë, i ka fyer sindikatat, e ka detyru njësinë elitare të Policisë me dalë në protestë, i ka mbetur ushtria pa bukë e policët pa këpuca, i ka maltretuar prindërit dy vjet radhazi me blerjen e librave, qeveria në mandatin e së cilës janë rritë çmimet si kurrë më parë, sot me para të taksapagusëve po tenton me ble vota.
Janë 4 vjet të humbura Jeni në panik, por as kjo skemë nuk ju shpëton dot. Më 9 shkurt votohet për ndryshim jo për lëmoshë!”, ka shkruar Bajrami në Facebook.