Kryeministri Albin Kurti në konferencën për media ka folur për kronologjinë e sulmeve në veri, duke thënë se plitikat agresive të Serbisë nuk po ndalen.
Ai tha se refuzimi i Beogradit për ta dorëzuar Milan Radoiciqin, përgjegjësin kryesor për sulmin terrorist të 24 shtatorit, tregon për koordinim mes Beogradit dhe Radoiçiqit.
“Strehimi i Radoiçiqit në Serbi, përkrahja që i ofron Beogradi zyrtar me infrastrukturë për trajnim të grupit terrorist, autorizimi i përgjegjësive që ia ka falur kreu i shtetit serb atij dhe për kontrollin faktik dhe politik të serbëve të Kosovës nuk mund të quhet ndryshe përveçse koordinim i shtetit të Serbisë me Milan Radoiçiqi për ta zhvilluar më tej luftën hibride kundër Republikës sonë”.
Ndërkaq, Kurti tha se Kosova ka shtrirë sovranitetin e sigurinë në veri përmes kushtetutshmërisë e ligjshmërisë.
“Politikat agresive të Serbisë nuk po ndalen, por të organizuara në grupe më të vogla dhe në forma më të fshehta. Që nga qershori i 2024-ës kur edhe kanë filluar posterë me fytyrën e presidentit të Serbisë, Vuçiqi me përshkrime si “Komandant suprem ju presim”, gradualisht është përshkallëzuar situata në katër komunat në veri përmes grupeve të vogla të lidhura direkt me Radoiçiqin”.
“Bazuar në informacionet që posedojnë institucionet e sigurisë në Kosovë Milan Radoiçiqi ka caktuar dy persona, të afërt të tij, për të realizuar sulme në veri përmes grupeve të tyre të cilët kanë marrë pjesë edhe në sulmin terrorist në Banjskë dhe strehohen në Serbi e këta dy persona janë Nemanja Radivojeviq me nofkën “Gandi” dhe Vladimir Radivojeviq me nofkën “Mami”.
“Më pas janë evidentuar raste të ndryshme të sulmeve me mjete shpërthyese dhe veprime të tejra deri në sulmin terrorist në kanalin Ibër Lepenc”, tha Kurti, ndërsa përmendi me datë sulmet.