Kryetari i PD Sali Berisha ka vleësuar betejën e grave demokrate përgjatë viteve të fundit kundër qeverisjes së grave
Në takimin për festat e fundvitit me LDG, Berisha u bëri thirrje grave të PD se ‘beteja e tyre në këtë stad është vendimtare për fitoren e demokracisë dhe rrëzimin e narkodiktaturës’
“Ne vendosëm standardin evropian në lejet e lindjes. Vendosëm standardin ndër më të mirët që ekziston.
Por nga ana tjetër, nga viti 2009 deri në vitin 2013, numri i popullatës rritej nga viti në vit. Fëmijët qëndronin në Shqipëri, nuk largoheshin nga vatrat e tyre.
Programi ynë nuk realizoi të gjithë objektivat, por unë u garantoj se programi i ardhshëm do të parashikojë objektiva të tjera në këtë barazi.
Do parashikojë mbrojtje të hekurt të grave dhe vajzave nga dhuna.
Do parashikojë ndëshkimet më të rënda ndaj atyre që guxojnë të cenojnë dinjitetin e tyre.
Do parashikojë mbrojtje dhe kujdes të veçantë për nënat kryefamiljare, të cilat në shoqërinë tonë sot ndoshta janë më të shumta se kudo tjetër për kompleksitetin e arsyeve.
Do bëjmë gjithçka që talenti, aftësitë e tyre të shpalosen në interesin më të mirë të tyre në radhë të parë, të shoqërisë dhe demokracisë në këtë vend
Qëndresa juaj ka qenë epike dhe me këtë qëndresë ju ia dolët që PD të ringrihet përsëri si forca politike më e fuqishme.
Ju nuk u lodhët kurrë, nuk u tërhoqët kurrë në betejën tuaj për të mbrojtur kauza të drejta.
Por tani jemi në stadin e fundit të betejës tonë.
Dhe beteja juaj, përkushtimi juaj, angazhimi juaj në këtë stad është vendimtar për fitoren e demokracisë dhe rrëzimin e narkodiktaturës me votën e shqiptarëve.
Unë dua t’u rrëfej ju se meqenëse rrethohet nga një numër ministresh, Edi Rama thotë se me gratë unë e kam të zgjidhur problemin e votës. Ndërsa të rinjtë i mohon sepse e di se me arrogancën e tij, të rinjtë pasivisht nuk e honepsin atë në asnjë mënyrë.
Por unë kam besim të madh tek ju se me përkushtimin tuaj të madh, me angazhimin tuaj, me integritetin tuaj, ju do realizoni përpjekjen më të suksesshme elektorale në 32 vite.
Është e një rëndësie vendimtare dhe dua t’u informoj se në mënyrë të përsëritur është e faktuar se fuqia elektorale e grave është shumë më e madhe se fuqia elektorale e burrave.
Se gratë janë shumë më bindëse në fuqinë e tyre elektorale, përkushtimin e tyre elektoral se sa burrat.
Ua them këto për të kuptuar se çfarë rëndësie vendimtare ka vazhdimi nga ana e juaj e betejës, para së gjithash tek çdo vajzë, tek çdo grua shqiptare kudo që ndodhet.
Para së gjithash me to.
Dhe ju trokisni në çdo zemër të çdo zonje, të çdo zonjushe me një program, i cili do t’u japë përgjigjen më të shpejtë dhe më të vendosur problemeve të mprehta me të cilat një nënë, një gjyshe, një motër përballet çdo ditë.
Çelësi i këtij qëndrimi është përmbysja e shpërndarjes së të ardhurave të buxhetit dhe të ardhurave kombëtare.
Ne do i kthejmë ato tek qytetarët”, tha Berisha