Të paktë janë lojtarët shqiptarë që kanë mundur të fitojnë trofe madhorë në rang europian e botëror. E megjithatë, një lojtar shqiptar ka dalë kampion bote. Ai është Shkodran Mustafi, i cili ishte pjesë e Gjermanisë në Botërorin e Brazilit në vitin 2014.
Ai ka vendosur të tërhiqet nga futbolli e FIFA ka shkruar për të dhe për ata lojtarë që u tërhoqën gjatë këtij viti. Andres Iniesta e Toni Kros janë në mesin e legjendave të futbollit që janë pensionuar gjatë vitit 2024, shkruan Adriatik Balla.
Iniesta vlerësohet prej futbollistëve më të mirë spanjollë në histori. Ai e udhëhoqi Spanjën drejt titullit të botës në vitin 2010. Ka luajtur 14 ndeshje në katër kampionate botërore. “Yll me përmasa galaktike, Iniesta i dha fund karrierës në tetor, pas më shumë se 900 ndeshjeve me klube dhe përfaqësuesen spanjolle. Magjistari i mesfushës do të mbahet mend gjithnjë për kohën te Barcelona. Por momenti i tij më i famshëm erdhi me fanellën e Spanjës”, ka shkruar FIFA.
Të tjerë të tërhequr
Më 11 korrik të vitit 2010, në “Soccer City” në Johanesburg të Afrikës së Jugut, Iniesta shënoi golin e fitores 1:0 të Spanjës ndaj Holandës në finale. Madje sfidën e vendosi në minutën e 116-të. Jesus Navas është tjetër lojtar i atij ekipi të Spanjës nga “Afrika e Jugut 2010” që i dha fund karrierës këtë vit. Edhe Navasi ishte paraqitur në finale, duke e zëvendësuar Pedron pas një ore lojë. Ai u paraqit edhe në “Euro 2024”, ku Spanja triumfoi. Erik Durm nuk ka luajtur ndeshje për Gjermaninë në Botërorin “Brazili 2014”. Por ishte në ekip dhe llogaritet kampion i botës, sipas FIFA-s.
Ai u pensionua që në janar të këtij viti, pas telasheve të shumta me lëndime. Durm u tërhoq në moshën 31-vjeçare. “Durm, atëbotë 22-vjeçar, i ishte bashkuar listës së lojtarëve si Franko Barezi e Ronaldo duke fituar çmimin më të madh në futboll pa luajtur asnjë minutë. Ai ishte rezervist i pashfrytëzuar në të gjitha shtatë ndeshjet e Gjermanisë në Botërorin 2014”, shkruan FIFA. Në korrik ai u kthye në futbollin amator, duke firmosur me ekipin e kategorisë së gjashtë gjermane, Rieshveiler. Mbrojtësi shqiptar, Shkodran Mustafi, po ashtu ishte pjesë e Gjermanisë në Botërorin 2014. Luajti në tri ndeshje. Ai vendosi në qershor të përfundojë karrierën si lojtar profesionist, me shumë arritje.
Qëndrimi i FIFA-s
“Njëjtë si Durm, Mustafi bëri vend te Gjermania pak para Botërorit 2014. Debutoi në miqësoren ndaj Polonisë një muaj para ngjarjes globale. Ai luajti në dy ndeshjet e para në Botëror dhe startoi në një të tetën e finales ndaj Algjerisë. Por u zëvendësua pas një lëndimi dhe nuk luajti më në Botëror. Që nga qershori ai është asistent-trajner te Gjermania U17”, shkruan FIFA.
Dukshëm më i rëndësishëm për Gjermaninë ishte Toni Kros. Ai e fitoi Botërorin në vitin 2014, ndërsa për Gjermaninë luajti në tri ngjarje globale e zhvilloi 14 ndeshje.
Mesfushori ikonik i dha fund karrierës me ndeshjen e fundit të Gjermanisë në “Euro 2024”. U largua kur ishte në kulm, si lider i mesfushës së Real Madridit, që e fitoi Championsin dhe La Ligën edicionin e kaluar. Në Botërorin 2014, Krosi kishte startuar në të gjitha ndeshjet e Gjermanisë. Karrierën këtë vit e ka përfunduar edhe mbrojtësi i njohur francez, Rafael Varane. Ai fitoi Botërorin me Francën në vitin 2018. Luajti në tri Kampionate Botërore, gjithsej 18 ndeshje.